Gjuha e neonazizmit dhe racizmit serb kundër shqiptarëve (4)
Anatomia e një nazizmi: Slobodan Milosheviqi – nga Fushë Kosova deri në Hagë (4)
Shkruan: Prof. dr. Agim ZOGAJ
Kërcënimet e akademikëve serbë kundër shqiptarëve
Pasi kishin konstatuar kufizime ekonomike dhe politike për zhvillimin ekonomik të Serbisë, hartuesit e Memorandumit serbe më tej kishin konkluduar se këto kufizime ishin shtrirë edhe në fushën e statusit kushtetues, sipas tyre të padefinuar dhe kontradiktor të Serbisë. Akademikët formulonin qëndrimin sipas të cilit vetëm populli serb gjoja në Jugosllavinë titoiste nuk kishte shtetin e vet. Kjo pengesë, sipas tyre vinte nga dhënia e statusit të autonomisë për Kosovën dhe Vojvodinën, prandaj si konsekuencë e këtij formulimi shqiptarët dhe hungarezët ishin “fajtorët” kryesor për moskonstituimin e shtetit serb në federatën Jugosllave. Më tej në Memorandum theksohej se qëllimi i gjithë kësaj ishte jo vetëm që Serbia të ndahej, jo vetëm që populli serb të ndahej në disa territore, republika e krahina dhe të mos jetë unik, në një shtet, por edhe që ai të kontrollohej më lehtë dhe të mbahet vazhdimisht nën vëzhgim. Kështu, mbi këto formulime të akademikëve serbë, dilte se populli serb na qenka i diskriminuar, sidomos pakicat serbe që jetonin në Kroaci, Bosnjë, Vojvodinë dhe veçmas në Kosovë, ku sipas Memorandumit diskriminimi mbi pakicën serbe kishte arritur përmasa shqetësuese. Lidhur me këtë, Memorandumi thekson se në Kosovë në pranverën e vitit 1981 popullit serb iu shpall një luftë vërtet speciale, por e hapët dhe totale. Gjuha kaq agresive, intriguese dhe shpifëse e hartuesve të Memorandumit fshihte në vete synimin për të krijuar atmosferën intelektuale, shpirtërore dhe më paso edhe atë politike për përdorimin e dhunës së shfrenuar institucionale serbe dhe asaj jugosllave ndaj popullatës shqiptare. Në këtë kontekst ishte e qartë se dorasit e ardhshëm (serbë), përkatësisht përfaqësuesit e tyre intelektualë i fajësuan mjeshtërisht viktimat e ardhshme (shqiptarët) dhe e shinin veten për viktimë. Për kohën, kur regjimi millosheviqian po ngritej fuqishëm dhe pa penguar, thuajse në tërë hapësirën jugosllave këto montime të akademikëve serbë, ishin jashtëzakonisht të rrezikshme në radhë të parë për popullatën shqiptare e cila ishte pa kurrfarë përkrahje dhe mbështetje përbrenda federatës jugosllave.
Regjimi serb me në krye Slobodan Millosheviqin e hetonte këtë vetmi shqiptare prandaj u vërsul me aq arrogancë mbi te, duke e akuzuar, gjithnjë në frymën e udhëzimeve dhe porosive të Memorandumit, madje edhe për gjoja gjenocid mbi pakicën serbe në Kosovë. Në ato vite dhe në ato ngjarje që paralajmëronin, ndërrimin e epokave, por edhe përmbysje, përplasje, dhunë, luftë dhe vdekje, pra kur secili nga kombet tjera jugosllave po shikonte të shpëtonte nga regjimi serb, pra duke lërë në vetmi dhe pa asnjë përkrahje popullatën shqiptare, po ndodhte cinizmi më i madh mundshëm politik: një popull i vuajtur me shekuj, i ndarë me dhunë, siç ishte popull ynë i ngelur në territoret etnike nën Jugosllavi, po akuzohej për agresor, po akuzohej se po bënte gjenocid, mbi një pakicë serbe populli i të cilës e kishte fuqinë vendimtare politike, juridike, institucionale, ushtarake e policore në shtetin jugosllav. Prandaj, edhe nuk ishte vështirë që faji kolektiv i popullatës shqiptare, të përshkruar aq mjeshtërisht dhe me dinakëri në Memorandumin serb me cilësimet “Gjenocid fizik, politik, juridik, kulturor”, “djegie, vrasje, dhunime”, “sundimi i terrorit fizik, moral dhe psiqik”, “dëbim, egzod”, etj, të hapte rrugë për përdorimin e papenguar të dhunës institucionale serbe dhe jugosllave mbi popullatën shqiptare. Në këtë plan pra të përdorimit të gjuhës së urrejtjesh, të gjuhës së nazizmit dhe racizmit modern serb ndaj shqiptarëve, vlen të veçohen edhe nocionet tjera të shënuara në Memorandum si “Bashibuzukët shqiptarë”, “racistët shqiptaromëdhenj”, “ballistët”, “agresion neofashist”, “albanizimi i Kosovës e Metohisë” etj.
Përdorimi i këtij lloji të gjuhës, pra shpifëse, me përmbajtje të urrejtjes, të funksioneve, intrigave, kuptohet në radhë të parë kundër shqiptarëve etj, ishte në funksion të propagimit të ideologjisë serbomadhe të cilën e aplikonte regjimi millosheviqian. Akademikët serbë, s’ka dyshim se ishin plotësisht të vetëdijshëm për funksionin dhe efektet e një gjuhe të tillë të përdorur dhe të lansuar në Memorandum. Ata, pra, e dinin se, me një gjuhë të tillë, helmi dhe gjaku, ndryshonin perceptimin e realitetit të atëhershëm jugosllav, strukturorin me plot vetëdije dhe qëllim politik e nacional të menduarit politik serb dhe, së fundi me gjithë këtë gjuhë të urrejtjes do të ndikonin në mënyrën e veprimit të regjimit serb në shërbim të të cilit edhe ishin. Gjuha e Memorandumit, në të njëjtën kohë ishte në funksion të ringjalljes së miteve të vjetra të rrejshme serbe mbi Kosovën dhe shqiptarët, si dhe në funksion të krijimit të miteve të reja politike, nacionale serbe. Ata a dinin saktësisht se jo vetë gjuha por edhe stereotipet dhe mitet e reja politike të përdorura në Memorandum ishin mjete të rëndësishme për keqinterpretimin e realitetit dhe krijimin me këtë të një atmosfere shpirtërore për veprime të dhunshme të regjimit në radhë të parë ndaj shqiptarëve. Akademikët serbë e dinin gjithashtu se mitet politike, nacionale, përveç se mund të jenë kode ambivalente e simbolike, të cilat mund të përmbushin edhe funksionin mobilizues, ato po ashtu mund të kenë funksion shumë të rrezikshëm, në fushën e synimeve manipulative dhe dezintegrative. Në rastin konkret të viteve të tetëdhjeta kur sundonte regjimi millosheviqian, ato mite të rrejshme politike të Memorandumit ishin në funksion të forcimit të diktaturës millosheviqiane si dhe të adaptimit të popullatës serbe me atë regjim, dhe me qëllimet e asaj diktature. Ndryshe, si mund të shpjegoheshin atëherë dhe sot thirrjet e qytetarëve serbe, të cilët nëpër mitingjet serbe brohorisnin “Duam armë”, “Vrasje shqiptarëve”, “Shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nemura” etj. A nuk ishte ky indoktrinim fashist i popullatës serbe, dëshmi se populli serb po solidarizohej me regjimin e dhunës dhe me diktaturën millosheviqiane. Por, këtë diktaturë e ngriti, shpirtërisht edhe Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve, pra në radhë të parë përmes Memorandumit. Ndërsa mitet e rrejshme serbe të riaktualizuara edhe nga Memorandumi dhe ato të rejat të dala nga përmbajtja e tij, dëshmonin se ato mite ishin në harmoni të plotë me ideologjinë sunduese të regjimit serb, të cilit edhe i shërbenin, duke e frymëzuar dhe mbajtur regjimin.
Media serbe: shqiptarët, popull armiqësor, duhet, me dhunë me i përzë!
Mjetet serbe të informacionit, të gjitha pa dallim si ato të shkruara ashtu edhe ato elektronike, i paraqitnin shqiptarët si element demonik armiqësor, pra si një element i huaj në shoqërinë jugosllave, si një popull që i takon një civilizimi krejt tjetër, të pazhvilluar, popull që sipas mesazheve të mediave serbe duhej përzënë, dëbuar fizikisht nga vatrat e veta. Këto media në fokus të temave të ditës kishin vënë inskenimet e policisë sekrete serbe, pra vrasjet, dhunimet, djegiet e dëmtimet e pasurisë së serbeve lokalë, propagandë kjo e cila ishte në funksion të projektit të regjimit serb. Në fakt, para mbarë shoqërisë jugosllave, e cila shtihej si konformiste në rastin e çështjes shqiptare, po ngritej propaganda, histeria antishqiptare serbe e cila, s’ka fije dyshimi se ishte projektuar nga elita politike, shtetërore dhe ajo intelektuale serbe, ndërsa po realizohej, zbatohej nga aparati shtetëror qeveritar serb, kryekëput përmes policisë dhe ushtrisë. Krejt këto raste ishin në funksion të përgatitjes së atmosferës për shtimin e dhunës serbe mbi popullin shqiptar, për shtimin e agresionit dhe metodave të tij gjakatar, dhe së fundi për arsyetimin e dhunës së përgjithshme mbi shqiptarët. Thjesht, shqiptar i mirë, në ato vite ishte vetëm shqiptari i vrara! Me gjithë këtë luftë speciale dhe propagandë, e cila u përvijua edhe përmes Memorandumit famëkeq serb, po legjitimohej autorizimi i dhunës serbe mbi shqiptarët. Por, analiza e vëmendshme e Memorandumit tregon se, të vetmen zgjidhje për çështjen nacionale serbe hartuesit e Memorandumit e shihnin në përdorimin e dhunës.
Millosheviqi diti mjeshtërisht dhe me dinakëri politike të përdor doktrinën thelbësore të Memorandumit për të instrumentalizuar nacionalizmin serb. Ai për këtë qëllim nuk kishte edhe vështirësi të mëdha, sepse veçmas nga viti 1981 në të gjitha institucionet serbe, madje edhe ndër shkrimtarë, artistët, e deri te klerikët serbë ishte ringjallur urrejtja patologjike kundër shqiptarëve, po merrnin hov histeria dhe racizmi antishqiptar. Kuptohet se nacionalizmi i tillë serb më së fuqishmi ishte paraqitur, ringritur e rishfaqur, ishte instrumentalizuar në Memorandumin e ASSHA.
Kështu memorandumi për pak kohë arriti të bëhej në jetën intelektuale dhe politike serbe dokumenti më i popullarizuar, kurse autoriteti i Akademisë Serbe ngritej e shpejtësi të madhe. Pikërisht në atë vit, pra 1986, ASSHA kremtonte 100-vjetorin vete të parë, ndaj eufuroi ndezja e shpresave se në Serbi megjithatë kishte mendje të afta politike dhe intelektuale që mendonin për interesin nacional serb, ishte përndezur si kurrnjëherë më parë.
Në këtë prizëm miti i shtetit, i shfaqur në një nga postulatet qendrore në Memorandum serb të datës 24 – 25 shtator 1986, është segment i rëndësishëm mbi të cilin e zhvilloi propagandën e vet politike dhe nacionale regjimi millosheviqian. Përmbajtja e këtij miti, pra mbi shtetin kërkonte që të shtrohej çështja e ridefinimit të pozitës kushtetuese e Serbisë në federatën jugosllave, më konkretisht rivlerësimin e kushtetutës jugosllave të vitit 1974. Kjo çështje ishte provuar të shtrohej, që në vitin 1976, përmes dokumentit të njohur serb me emrin Libri i Kaltër i hartuar të hartuar ilegalisht nga regjimi i atëhershëm serb dhe anëtarët e ASSHA.
Krahas riaktualizimit të mitit të rrejshëm serb për Kosovën, Memorandumi serb i vitit 1986 kishte arritur që të shfaq edhe një mit të ri për rrethanat e kohës, misionin i të cilit ishte zgjimi i idesë për ringritjen e perandorisë mesjetare serbe. Prandaj nuk është e rastësishme pse Komisioni prej 16 akademikëve serbe i cili ishte ngarkuar me hartimin e Memorandumit, takimin e tij të parë e kishte mbajtur më 28 qershor 1985, në ditën e Shën Vidit, e cila shihet si ditë e prerjes se fatit, ditë që në ndërgjegjen kolektive të serbeve është ngulitur si ditë e “katastrofës së madhe kombëtare” të tyre. Pra prapavija e takimit të komisionit për hartimin e Memorandumit pikërisht më 28 qershor 1985 është e lidhur me ideologjinë politike sipas të cilës ushtria serbe kishte marshuar më 1912 në Kosovë si “hakmarrje për disfatën e pësuar” më 1839, për “skllavërinë pesëshekullore turke” dhe si çlirim të territoreve serbe nga pushtimi i saj.
Studiuesit e shumtë të Memorandumit, i cili është dokument i përfunduar sepse i ka vetëm 74 faqe, me të drejtë vërejnë se në doktrinën e këtij dokumenti duhet kërkuar edhe rrënjët e shumë ngjarjeve që pasuan pas vitit 1996, deri në luftën e Kosovës në vitet 1998 – 1999, ndërkaq fakti se shumë akademikë i dhanë përkrahje absolute Slobodan Millosheviqit, vërtetojnë konstatimin tjetër sipas të cilit, të gjitha të këqijat serbe burojnë nga ASSHA. Kronistët e kohës dëshmojnë se personalisht Milosheviqi, pas paraqitjes publike të Memorandumit kishte pasur sjellje jo të zakonshme. Para opinionit ai dukej dhe paraqitej i përmbajtur në gjykimin Akademisë, ndërsa në takimet e mbyllura, së bashku me Nikola Lubiqiqin, Ivan stamboliqin dhe Dragisha Pavloviqin, zhvillon fushatë kundër Akademisë. Ai ishte aq i ditur politikisht sa që para bashkëpunëtorëve të tij solidarizohej me ata, mirëpo në të njëjtën kohë, evitonte gjykimin publik të Memorandumit, prandaj këtë detyrë iu linte Ivan Stamboliqit dhe Dragisha Pavloviqit. Nuk ishte e rastësishme heshtja e tij në mbledhjen e KQ të LK të Serbisë, kur u diskutua për memorandumin. (Vijon)