GJUHA JONË E LASHTË

25 nëntor 2019 | 15:21

I nderuar kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut z. Talat Xhaferi
I nderuar kryeministër z. Zoran Zaev,
Shkëlqesitë tuaja, ambasadorë të vendeve tona mike,
Të respektuar kolegë Ministra, Kryetarë Komunash e drejtues tjerë të institucioneve,
Të nderuar përfaqësues të medieve,
Zonja dhe Zotërinj,
Gjatë shekullit të 19-të dhe fillim të shekullit të 20-të, në Ballkanin e mbushur me turbulenca të mëdha politike.
Rilindasit shqiptarë kishin vendosur mbi të gjitha prioritetet: njësimin e shkrimit të gjuhës shqipe.
Gjuha jonë e lashtë kishte mbijetuar me mijëra vite, por ishte shkruar në alfabete të ndryshme dhe kjo nuk mund të vazhdonte në pafundësi.
Në atë kohë armiqtë e shqiptarëve tentonin të na tjetërsonin, duke pretenduar se disa janë turq, disa grek, e kështu me radhë.
Kjo rrugë ishte një rrugë e mbuluar me gjak, me vuajtje të papara.
Si rrallë ndonjë popull në rruzullin tokësor, shqiptarët ishin të vendosur në mbrojte të gjuhës së tyre.
Shoqëria “ Bashkimi” nga Manastiri, ku ishte vatra e veprimtarisë kombëtare e mori përsipër bashkimin e intelektualëve shqiptarë nga 23 qytete, nga të gjitha vilajetet.
Delegacioni përbëhej nga shqiptarë të religjioneve të ndryshme: musliman, katolik, protestant ortdoks – që i bashkonte gjuha dhe alfabeti shqip.
14 nëntori i vitit 1908 ishte dita kur filloi Kongresi i Manastirit dhe 8 ditët e ardhshme të punës, na 14 deri më 22 nëntor janë periudha e realizimit të ëndrrës së Alfabetit.
Kongresi ishte pasqyra e nivelit të ngritur intelektual të asaj kohe. Përveç alfabetit ka pasur edhe vendime politike që janë të njohura për historinë.
36 shkronjat e arta edhe pas unifikimit nuk e patën të lehtë të mbijetonin, sepse shkollat shqipe, paralelisht me fatin e kombit kaluan nëpër kohë të vështira edhe pas pavarësisë së Shqipërisë të vitit 1912, duke vazhduar deri në kohët moderne.
Vetëm para 31 vjetëve, shkollat në gjuhën shqipe u mbyllën në emër të ideologjisë së paraleleve të përziera, në vitin 1988. Shpresoj sinqerisht që të gjithë të kemi mësuar nga e kaluara.
Dhe mos të harrojmë, jemi duke folur gjithmonë për të drejtën themelore: atë të përdorimit të gjuhës së nënës.
Hapja e 3 universiteteve në gjuhën shqipe në vendin tonë, flet shumë për ndryshimet që kanë ndodhur.
Prandaj paragjykimet dhe frika nga gjuha shqipe e atyre, që ende kanë dilema është e pavend.
Nuk rrezikohet askush nga gjuha e tjetrit.

Të nderuar zonja dhe Zotërinj,
Një shtet multietnik, nënkupton edhe përdorim i gjuhëve të ndryshme.
Jo në dëm të gjuhëve të tjera, por si vlerë kulturore që begaton shoqërinë. Gjuha duhet të jetë elementi kyç i bashkëpunimit në mes të bashkësive etnike, sepse është elementi themelor i identitetit të kombit.
Pikërisht për këtë arsye , ne si Qeveri e Republikës së Maqedonisë , pas ndryshimit të Ligjit të gjuhëve jemi përcaktuar në zbatimin e tij.
Agjencia për përdorimin e gjuhëve dhe Inspektorati i gjuhëve, janë institucione të cilat do të ndihmojnë në këtë drejtim.

Të nderuar pjesëmarrës,
Pasuria e këtij vendi është diversiteti.
Ne duhet të përfitojmë të gjithë nga ky shans i mrekullueshëm.

Prezenca e anëtarëve të Qeverisë në këtë manifestim, na inkurajon edhe më shumë, sepse është sinjal i qartë se në cilën rrugë është duke ecur vendi ynë.
Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive do vazhdojë të punojë në drejtim të avancimit të gjitha gjuhëve të bashkësive etnike që jetojnë në këtë vend.
Miqtë tanë ndërkombëtarë janë shumë të mirëseardhur dhe të nevojshëm në mbështetjen e këtij procesi.
111 vjet pas Kongresit të Manastirit ne festojmë dhe nderojmë të gjithë ata që e mbajtën të gjallë këtë gjuhë me shekuj. Gjithashtu tregojmë përcaktimin tonë për të ruajtur e zhvilluar këtë thesar të madh, jo vetëm ne si shqiptar, por edhe institucionet botërore.
Ju falënderoj të gjithëve që keni ndarë nga koha juaj, për të ardhur në aktivitetet tona mbi Kongresin e Alfabetit!
Urime dita e shkronjave!
Faleminderit për vëmendjen!

Fjalim
Sadulla Duraki- Zëvendëskryeministër dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Shkup, 22 nëntor 2019!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga Partia Demokratike…