Gjuha jonë sa e mirë, sa e ëmbël, sa e dlirë…

17 prill 2020 | 11:44

Elife Podvorica

Tërë ditën sot jam ndier në turp para Naim Frashërit dhe të vëllait – Samiut! Sepse, më vinte keq ndaj dashurisë së tyre për gjuhën shqipe! Bile ndaj Samiut edhe më shumë!
Ai le që e kishte mësuar gjuhën e nënës aq bukur nga vëllai më i madh Naimi, por ishte magjepsur pas aftësisë së njeriut për të artikuluar tingujt sa që kishte krijuar një alfabet të ri për një gjuhë që nuk ishte e tija fare! Pra, e kishte begatuar shkencërisht dhe i kishte vu themelet një gjuhe jo amtare!
S’më zinte vendi sot nga marrja para tyre! Por, dikur e gjeta ngushëllimin! Thashë hajt lëre se ata më nuk janë gjallë! As fizikisht e as me veprën e tyre! Ua kemi vdekur të dyjat! Dhe vendet ku ndodhë morgu i ëmbëlsisë së gjuhës së Naimit, i aftësisë dhe atdhetarizmit të Avdylit, fatkeqësisht qe dy dekada, është një dhomë shteti, që quhet Kuvend, këtu në Kosovë!
Nëse do të jesh dëshmitar i zhveshjes dhe i zhvatjes së ëmbëlsisë e dlirësisë së saj, nëse do të shohësh prangat e ndryshkura mbi te, duhet të dëgjosh fjalën e kuvendarëve në Parlamentin e Kosovës! Bile, bile jo vetëm ne populli, por edhe ata hartuesit e programeve nacionale serbe! Ata do të ndaheshin më shumë se të kënaqur me rezultatet e parashikuara një shekull me herët!
Sepse, këtu gjuha shqipe del e retarduar, e varfëruar, e zgjebosur me fjalët më të pahijshme! Këtu motori i oratorisë së deputetëve merr në thua dhe rrëzohet në zhyllin e fjalëve më të cunguara, më të zhveshura, aq sa më përngjan krejtësisht në këpucët e Lulit të vocërr! E kam fjalën për fondin e fjalëve, sepse këpucët e deputetëve shyqyr nuk janë më si të Lulit! Janë të lustruara, janë firmato! Kushtojnë sa dy tri paga të mësuesit të Lulit! Por, jo vetëm të tij! Edhe të mësuesve të kuvendarëve! Mirë le t’ju bëhet mësuesve! Nuk u paskan mësuar asnjë fjalë nga ato të Naimit me vëllezër!
Sepse po të dinin vetëm pak për aftësinë e Avdylit në krijimin e Lidhjes së Prizrenit në rrethanat në të cilat u formua dhe në misionin që ajo barte mbi vete, këta sokolat e sokoleshat e Parlamentit të sotëm do të silleshin më ndryshe. Do të ndjenin hijen e barrës historike që duheshin të bartnin mbi supet e tyre! Sepse Kuvendi është vendi për këto procese!Kuvendi nuk është për të vë në shprehje rrugaçëri, zili e hakmarrje të ulëta ndaj njëri-tjetrit!
Që të dëgjohet e thuhet fjala “Fashiste”, “pacove” nëpër rrjetet sociale, nga njerëz bartës të interesave të një populli, e tejkalon vrazhdësinë e shkëmbinjve të majave të Everestit!
Teksa mundohesha të hiqja helmin e këtyre fjalëve dhe e kësaj lloj fyerjeje e vrazhdësie midis kuvendarëve tanë, më ra në mend fjala e një plakut 90 vjeç!
– “Plaku bëhet si fëmija – më tha ai një ditë!Edhe truri e mendja bashkë me rëndesën e kujtimeve i kthehet tërësisht në at kohë!Dhe ditët e fundit të pleqërisë së tij ngjajnë me një sonambul të kohës në të cilën jeton!
Disi kjo analizë e një plaku 90 vjeçësh, më qetësoi pak trurin e shpirtin e vrerosur! Por nuk ma hoqi marazin e keqardhjes për krejt çfarë na shpalosën burrat shqiptar këtyre viteve të pasluftës në ndërtimin e shtetit të tyre shqiptar!
Më dhemb shpirti e ndjejë keqardhje për të gjithë ta dhe për popullin që janë duke përfaqësuar! Në traditën e lashtë shqiptare fyerja me fjalë nuk ka qenë e njohur! Plumbi e ka kryer këtë lloj detyre, por jo fjala e gjuhës të cilën zoti ta ka përcaktuar ta flasësh në këtë botë!
Andaj, o njerëz të Kuvendit, kur dilni në foltore ose kur shkruani nëpër rrjete sociale, le t’ju bie në mend ndonjëherë Naimi, sepse një ditë të gjithë do të shkojmë tek Ai dhe turpin e veprës sonë, gabimet apo qëllimet e liga do t’i kemi dëshmi në purgatorin e Atdheut!
O Atdhe! Je më i dashur sa më s’ka
Më je nënë, më je motër e vëlla
Nga çka rrotull më i shtrenjti ti më je
Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhe! (Naim Frashëri)!

P.S.
Jam e bindur që fëmijët e deputetëve të Parlamentit e dinë të gjithë këtë poezi!Le ta recitojnë ndonjëherë edhe para baballarëve e nënave të veta!
Sepse, pavarësisht xhepave të fryrë nga lekët, veturave të shtrenjta, udhëtimeve zyrtare nga më të ndryshmet, veshjeve me çmime marramendëse, një ditë do të na pres “Ky dhe”!
Por, “ky dhe’ nuk do t’i mbulojë tradhtarët e kombit! Kështu s’po them unë! E ka thënë historia!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 17 prill 2020 komanda e parandalimit dhe kontrollit COVID-19…