Gjuha shqipe/ Alban Skënderaj: Shqiptarët vuajnë nga kompleksi i inferioritetit
Një gazetare nga Kosova, e cila në vend të fjalës “letërnjoftim” përdori termin “kartë identiteti”, e nxiti Alban Skënderajn të shkruante diçka në lidhje me këtë dukuri të gjuhës shqipe, në rrafshin krahasues mes shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë.
“Po e shkruaj këtë herë se po e lashë do harroj si gjithmonë. Sapo pashë në televizor që edhe një gazetare e Kosovës (e ndikuar sepse po i fliste publikut të Shqipërisë) përdori fjalën ‘kartë identiteti’ dhe jo letërnjoftim, që është e njëjta fjalë, por në SHQIP dhe në Kosovë, ndryshe nga këtu, përdoret rregullisht.” – shkroi Skënderaj.
Në vijim, këngëtari u shpreh se “shqiptarët vuajnë nga kompleksi i inferioritetit” dhe kjo gjë sipas tij shpjegon përdorimin e fjalëve të huaja.
“Ju lutem në Kosovë dhe jo vetëm, mos u ndikoni nga Shqipëria që vuan nga kompleksi i inferioritetit me këto huazime të kota. Jemi ne që duhet të marrim shembull nga ju për mënyrën se si i shqipëroni fjalët me aq logjikë, thjeshtësi e përgjegjësi. E njëjta gjë ka ndodur vitet e fundit me fjalë si ‘autostradë’ etj. Është një temë e gjatë dhe shembujt janë pafund dhe banal.”
I vetëdijshëm se nuk ka njohuritë e një gjuhëtari, Albani shtoi:
“Kam jetuar shumë vite jashtë dhe nuk kam bagazhin e një gjuhëtari, edhe unë gaboj, por kam vullnetin e mirë, aq më tepër në raste kaq të dukshme! Nuk jam i paarsyeshëm të diskutoj për fjalë të huaja që kanë vite e shekuj që kanë hyrë te ne për shkaqe historike, kur pjesa dërrmuese e popullsisë ishte analfabete, por është papërgjegjësi fëminore të fusim fjalë të huaja pa kriter, aq më tepër në median e shkruar, televizione madje edhe në institucione në vitin 2020.”
Çfarë ka shkruar Albani qëndron. Shqiptarët e Kosovës, nxitur sigurisht edhe nga shkaqet historiko-politike, janë treguar më të kujdesshëm në ruajtjen e leksikut të shqipes. Sigurisht që edhe në të folmen e Kosovës nuk mungojnë fjalët e huaja, kryesisht të serbishtes dhe anglishtes, mirëpo nga ana tjetër edhe lëmi i fjalëve shqipe – të cilat ne te mund të konsiderohen edhe si arkaike – është i madh. Mjafton të përmendim terma si barnatore – farmaci apo ëmbëltore –pastiçeri për të kuptuar ndryshimin.
Megjithatë shqipja, si të gjitha gjuhët e tjera, ka ndryshuar në kohë dhe hapësirë. Disa fjalë kanë hyrë si terma të gatshëm nga gjuhët e huaja dhe thjesht janë përshtatur në shqip, sepse gjetja e një termi gjegjës është parë si e pamundur – për shembull kompjuter, bashkë me të cilin kanë hyrë edhe fjalë tastierë apo mouse.
Sidoqoftë, ndonëse ndonjëherë shqipja nuk të lehtëson punë me zëvendësimin e fjalëve të huaj, sepse biçikletës më mirë t’i themi biçikletë sesa dyrrotakësh, ka një mori fjalësh që lehtësisht mund të zëvendësojnë fjalët e huaja, për shembull: permanent – i përhershëm, inspirim – frymëzim, asistoj – marr pjesë, aks – vijë rrugore, abuzoj – keqpërdor e të tjera.
Jo më fjalë të huaja: Një listë me fjalë të përkryera të gjuhës shqipes
resort – vend pushimi
respektive – përkatëse
sekondare – dytësore
selektoj – përzgjedh
spostoj – zhvendos
prezent – i pranishëm
prioritet – përparësi
mazhorancë – shumicë
koshiencë – ndërgjegje
hemorragji – gjakderdhje
fluks – dyndje
bionde – flokëverdhë
banjo – nevojtore
farmaci – barnatore
pastiçeri – ëmbëltore
parukeri – floktore
spiker – folës lajmesh
adaptoj – përshtas
definitiv – përfundimtar
kualitet – cilësi
surprizë – befasi
ok – në rregull
obligim – detyrim
perfekte – e përkryer
lokacion – vendodhje
suport – mbështetje
jastëk – nënkresë
evitoj – shmang
simptomë – mëzirë
involvoj – përfshij
kredibilitet – besueshmëri
influencues – ndikues
impakt – ndikim
eksperiencë – përvojë
hezitoj – ngurroj
arkivol – arkëmort
silenciator – heshtues
pazar – treg
devijim – shmangie
kurbë – lakore
obez – mbipeshë
kasier/e – arkëtar/e
dimension – përmasë
tavëll – hirtore
inagurim – përurim
progres – përparim
iniciativë – nismë
koiçidencë – rastësi
konkluzion – përfundim
bravo – të lumtë
pedonale – shëtitore
kortezi – mirësjellje
live – drejtpërdrejtë
lider – udhëheqës
bazik – thelbësor
social – shoqëror
asistencë – ndihmë
atraktive – tërheqëse
event – ngjarje
hiç – asgjë
kuriozitet – kërshëri
hajde – eja
bar – pijetore
update – përditësoj
permanent – i përhershëm
inspirim – frymëzim
asistoj – marr pjesë
aks – vijë rrugore
abuzoj – keqpërdor
Revista Anabel