Gjuha shqipe, huazimet dhe shtrembërimet e panevojshme
Eva Qerimi
Gjuha shqipe, elementi themelor që na e përcakton identitetin e kombit tonë, është një pasuri kombëtare që është krijuar ndër shekuj dhe si e tillë, duhet të ruhet dhe të mbrohet deri në përjetësi.
Dëmi që po i bëhet gjuhës shqipe në ditët e sotme, është një shqetësim tejet i madh dhe i pranishëm çdo ditë.
Pakkush ka kujdes në renditjen e saktë të fjalisë, për rasat gramatikore, për morfologjinë në përgjithësi, apo edhe për fonetikën ose sintaksën.
Drejtshkrimi dhe shenjat e pikësimit thuajse janë dalë nga përdorimi i saktë, e për mos të thënë që shenjat e pikësimit nuk përdoren fare.
Nëse ndalemi te diaspora, (pa e përgjithësuar mendimin asnjëherë), vet shqiptarët e diasporës janë të shqetësuar për zbehjen apo mosnjohjen e gjuhës amtare. Vërehet që angazhimi dhe përpjekja e tyre që as ata, dhe as pasardhësit e tyre mos ta harrojnë gjuhën shqipe, nuk ka të ndalur.
Njohja jo e mirë ose ngecja në gjuhën shqipe mund të arsyetohet (deri diku) me faktin që ata jetojnë me dekada të tëra në ambiente jo shqiptare. Por, është shqetësuese dhe vështirë e kuptueshme kur takojmë gjenerata të reja ose prindër të rinj, që ata vet janë larguar nga trojet shqiptare kohët e fundit, ndërsa asnjëri prej fëmijëve të tyre nuk mund të flasë shqip.
Kinse shkollat e tyre (atje) nuk ua mësojnë shqipen.
Mesa kemi njohuri, asnjë shkollë nuk i mban nxënësit nga 12 orë në ditë, ose çdo ditë të javës.
Krenaria për gjuhën shqipe dhe flamurin shqiptar është aq e madhe, por për fat të keq, jo edhe mundimi për ta mësuar apo për ta përvetësuar atë.
Kur jemi te trojet shqiptare, te Shqipëria si fillim, e kuptoj ndikimin e gjuhëve të huaja, si p.sh. atë të anglishtes apo të italishtes.
Dihet që në shumë vende të botës, ndikimi i gjuhëve të huaja, sidomos i gjuhës ndërkombëtare (anglishtes), është shumë i pranishëm, por nuk e kuptoj pse duhet të jetë më i pranishëm se sa që ka nevojë. Gjuha shqipe është shumë e pasur dhe nuk lë vend për huazime të kota nga gjuhët e tjera.
Përveç huazimeve, më shqetëson edhe fakti i disa fjalive ose renditja e tyre që nuk janë kuptimplota dhe mund t’i hasim kudo.
Më ka rastisur të shoh ose të lexoj nëpër televizione, gazeta, libra të ndryshëm etj. fjali, si:
Kë person pëlqen?
Përemri pyetës kë, përdoret për rasën kallëzore. P.sh. Kë e pe dje? Kë e takove sot?
Në vend të kë, mund të thuhet: Cilin person e pëlqen?, ose Cili person të pëlqen?
Kur flasim për moshën:
Ajo është më e madhe se ai. Ai është më i madh se ata.
Mendoj që mbiemrat: i madh, e madhe e përshkruajnë një emër, një gjësend, qoftë laps, ndërtesë, veturë, tavolinë, i cili mund të shihet apo preket. Dhe e shohim që është i madh ose e madhe.
Moshën nuk mund ta shohim. Për ketë arsye thuhet:
Ajo është e re, ai është i vjetër. Ose, ai është i madh me trup. Por jo, ai është i madh me moshë.
Një fjali tjetër mjaft e shpeshtë:
Neve flasim… Neve mendojmë…
Juve duhet të mendoni…
Kur kam diskutuar për këtë çështje, një arsye e shpeshtë ka qenë që përemri vetor ‘ju’ është forma formale/zyrtare e njëjësit, ndërsa ‘juve’ është shumësi. Arsye të ndryshme ka pasur edhe për shprehjen ‘neve’ mendojmë…
Nëse është ashtu, atëherë sipas tyre, duhet të thuhet:
Mua mendoj Neve mendojmë
Ty mendon Juve mendoni
Atij/Asaj mendon Atyre mendojnë
Ndërsa, sipas meje, forma e saktë e shqipes është:
Unë mendoj Ne mendojmë
Ti mendon Ju mendoni
Ai/Ajo mendon Ata/Ato mendojnë
Do të thotë, e përdorim rasën emërore:
Kush mendon? – Unë.
Çka bëj unë? – Mendoj.
Kur jemi te përemrat vetorë, shpesh e kam lexuar:
Ato burrat atje. Ato shokët në kafene. Për emrin burrat, e dimë që edhe nga natyra është i gjinisë mashkullore. – Ata burrat atje.
Domethënë. ‘Ata’ – vetëm për gjininë mashkullore. ‘Ato’ – vetëm për gjininë femërore.
Nëse janë të përfshira të dy gjinitë, prapë përdoret ata.
P.sh. Kam shumë shokë dhe shoqe. Ata të gjithë janë shumë të sjellshëm.
Pastaj, shprehja që më duket e çuditshme:
A të pëlqeu kafeja? – Po, më shijoi shumë.
Nuk e di si mund ta dinë që kafeja i shijoi shumë. Kafeja nuk mund të flasë.
Njeriu mund të flasë dhe ai mund ta shijojë kafenë. P.sh. Po, e shijova (atë) shumë.
Ose fjalia tjetër:
Dje ka ndodhur një fatkeqësi. Personi me inicialet I.I e ka vdekur personin e gjinisë mashkull. Viktima ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit.
Forma e pashtjellueshme foljore, pjesorja vdekur, rrallëherë mund të përdoret edhe si folje më vete, mirëpo në këtë rast, mendoj që është krejtësisht e gabuar.
Një person mund ta mbysë personin tjetër (pa armë), mund ta vrasë atë (me armë zjarri), ose mund ta therrë (me armë të ftohta). Kështu që viktima mund të ketë vdekur si rrjedhojë e këtyre veprimeve, por asesi dikush ta ketë vdekur atë.
Numri 3 (tre) që përdoret para emrave të gjinisë femërore sikur nuk ekziston fare.
Rrallëkënd e dëgjoj duke thënë tri ditë, tri net…
Të shumtë janë ata që si për emrat mashkullorë, ashtu edhe për ata femërorë e përdorin vetëm numrin tre.
Thuhet dhe shkruhet tri para çdo emri të gjinisë femërore, p.sh: tri vajza, tri javë, tri shoqe.
Po ashtu, (përjashtim) edhe para emrave të gjinisë mashkullore (shumës) që përfundojnë me -e (trajta e pashquar).
P.sh. takime-t, çmime-t, male-t, drejtime-t etj. Do të thotë, janë emra të gjinisë mashkullore, mirëpo bëjnë përjashtim në shumës. Të gjithë këta emra duhet të përcillen me pjesë të lakueshme të ligjëratës së gjinisë femërore, qoftë mbiemër, përemër apo numëror.
P.sh. Tri takimet e mia të para kanë qenë nga ora 8:00 deri në orën 10:00. Të gjitha qenë të këndshme.
Shqetësimi im bëhet edhe më i madh, ngase unë, si një mësimdhënëse e gjuhës shqipe, ku ndër të tjera u ligjëroj edhe të huajve, shpesh kam pyetje nga ata të cilët ngatërrohen kur unë u shpjegoj që Koha e ardhme e gjuhës shqipe (sigurisht bazuar në gramatikat e gjuhës shqipe, jo nga ndonjë zbulim i imi personal) formohet kështu:
Unë do të shkoj
Ti do të shkosh
Ai/Ajo do të shkojë
Ne do të shkojmë
Ju do te shkoni
Ata/Ato do të shkojnë
Ndërsa, ata shohin shumë tekste (formale dhe zyrtare) ku shkruhet ose thuhet kështu:
Do shkojmë, do punojmë, do bisedojmë etj.
Më vjen vështirë t’ua pranoj që ajo formë e tillë nuk ekziston fare.
Kur ndalemi në Kosovë, përveç fjalëve turke dhe serbe që kanë pasur ndikim në të kaluarën dhe për fat të keq, ende gjenden në të folurën tonë të përditshme, një e vërtetë mjaft shqetësuese është edhe ndikimi ose kopjimi i tepërt i anglishtes.
P.sh. Shkronjat e mëdha përdoren vend e pa vend:
Sot është E diel. Ata janë Gjermanë. Ne jemi duke mësuar Italisht. Në Janar zakonisht shkojmë për skiim.
Kur jemi te foljet e pasakta:
Vishi çorapët/këpucët! Dihet që ne e kemi foljen mbathur.
Mbathi çorapët! Mbathi këpucët!
Ndërsa, Vishi pantollonat! Vishe këmishën!
Kur jemi ende te foljet, shprehje shumë e gabuar:
Kalo mirë! Ose Mos u lodh!
Mënyra urdhërore formohet kështu:
Shko atje! Lexo! Puno ose Mos puno!
Dmth. e urdhëron dikë për diçka. Nuk mund ta urdhërosh dikë të kalojë mirë, ose të mos lodhet.
Duhet t’ia dëshirosh një kohë të mirë, ose një moslodhje.
Mënyra dëshirore: Kalofsh, qofsh, paç, u bëfsh.
Dmth. Kalofsh mirë! Jo: Kalo mirë!
Një tjetër folje e përdorur gabim.
Shoku im ka lindur në vitin 1995.
Ose, një aktor si ky nuk lind më.
Shumë e qartë, sepse një person i gjinisë mashkullore nuk mund të lindë. Ai lindet nga një femër.
Thuhet: Një aktor si ky nuk lindet më.
Ajo që e ka vënë më në pah rrezikun që po i kanoset gjuhës shqipe, si nga moskujdesi, ashtu edhe nga mosdija, janë rrjetet sociale.
Është i pashmangshëm shqetësimi kur shohim shkrime informuese apo shkrim të çfarëdo lloji, nga profesorë të ndryshëm të lamive të ndryshme, nga gazetarë, doktorë, ndërmarrës, politikanë etj., dhe në fund të shkrimit, nëse duam ta lexojmë apo kontrollojmë atë tekst, aq sa ka fjalë, ka edhe gabime; si drejtshkrimore, ashtu edhe në kumptimin e fjalisë.
Shpresoj që së shpejti të punohet më shumë në këtë drejtim dhe të përmirësohemi dukshëm.
Ta shkruajmë gjuhën tonë mirë që ta ruajmë më mirë, do të ishte mesazhi im.
Disa nga huazimet dhe shtrembërimet më të shpeshta që i shoh ose i lexoj çdo ditë, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.
Si thuhen dhe si duhet të thuhen:
Abuzim keqpërdorim
Adekuat i përshtatshëm
Agresiv i ashpër
Ambient mjedis
Akumulim grumbullim
Apllauz duartrokitje
Aprovim miratim
Atakoj sulmoj
Atraktiv tërheqës
Balancoj barazpeshoj
Biznismen/e ndërmarrës/e
Blu e kaltër
Bravo të lumtë
Celebroj festoj
Çallengjë sfidë
Dedikoj kushtoj
Diferencë ndryshim
Divorc shkurorëzim
Doktore doktoreshë
Drejtore drejtoreshë
Editor/e botues
Egoist vetiak
Eksperiencë përvojë
Firmos nënshkruaj
Gratis falas, pa pagesë
Gri ngjyrë hiri
Hezitoj ngurroj
Human i njerëzishëm
Indeks tregues
Influencë ndikim
Iniciativë nismë
Intervenim ndërhyrje
Inspirim frymëzim
Internacional ndërkombëtar
Jeshil e gjelbër
Justifikoj arsyetoj
Kapacitet mundësi, aftësi
Koncentrim përqëndrim
Konfirmim vërtetim
Konfrontim ballafaqim
Konfuzion ngatërrim
Komplikim ngatërrim
Koincidencë rastësi
Kontinuitet vazhdimësi
Kualitet cilësi
Kuantitet sasi
Kurajo guxim
Kurioz kurreshtar
Kurues shërues
Lider udhëheqës
Linguistikë gjuhësi
Medicinë mjekësi
Nacional kombëtar
Nacionalitet shtetësi
Nominoj emëroj
Oficial zyrtar
Opinion mendim
Okupim pushtim
Pasagjer udhëtar
Perfekt i/e përsosur
Permanent i përhershëm
Prezencë prani
Preventivë ndalim
Profesore profesoreshë
Primar parësor/e
Princip parim
Progres përparim
Pronotim rezervim
Publikoj botoj
Qëndër qendër
Refer gjyqtar
Risk rrezik
Rentoj marr me qira
Selektoj përzgjedh
Sekondar dytësor/e
Sens kuptim
Stabilitet qëndrueshmëri
Tentativë përpjekje
Univers gjithësi
Validitet vlefshmëri
Vënd vend
Vikend fundjavë
Xhentil i sjellshëm
Sa u përket shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi apo në Kosovën Lindore, nuk kam ndonjë mendim konkret për arsye që nivelin e tyre të të shkruarit e njoh shumë pak.
Ndërsa, sa i përket të folurës së tyre, mendoj që ngjajnë më shumë me të folurën e Kosovës se sa me atë të Shqipërisë, duke iu referuar më shumë dialektit gegë.