Gjuha shqipe – Identitet, jo politikë

22 shkurt 2025 | 10:14

Izet Mexhiti, Zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, më lejoni të theksoj se gjuha amtare është shumë më tepër sesa një mjet komunikimi. Ajo përfaqëson identitetin tonë, historinë dhe trashëgiminë që ua përcjellim brezave. Qysh në fëmijëri, gjuha amtare formëson mendimin tonë, na lidh me familjen dhe na bën pjesë të një kulture të dallueshme.

Në Ballkan, një rajon ku kujtimet e konflikteve dhe ndasive ende rëndojnë mbi brezat e sotëm, çështja e gjuhës amtare luan një rol kyç në identitetin kombëtar dhe kulturor. Gjuha është elementi që lidh dhe mban të bashkuar komunitetet, sidomos në vende me diversitet etnik dhe gjuhësor, siç është Maqedonia e Veriut.

Në këtë kontekst, është e rëndësishme të kujtojmë se në Ballkan, gjuha nuk ka qenë thjesht një mjet komunikimi, por një simbol politik dhe identitar. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, shtetet e reja e theksuan gjuhën si një element dallues dhe përcaktues të përkatësisë kombëtare.

Një ilustrim i qartë i kësaj është Bosnja dhe Hercegovina, ku sot ekzistojnë tre gjuhë zyrtare: boshnjakishtja, serbishtja dhe kroatishtja. Këto gjuhë janë pothuajse të njëjta në të folurën e përditshme, por dallimet bëhen të dukshme në aspektin politik dhe simbolik – në dokumente zyrtare, në arsim dhe në media. Kjo tregon se në Ballkan, gjuha nuk është vetëm një instrument komunikimi, por mbi të gjitha, një shprehje e identitetit politik dhe kombëtar.

Të drejtat gjuhësore janë një e drejtë themelore dhe një parim kyç i barazisë etnike në shoqëritë multietnike. Gjuha amtare luan një rol thelbësor në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe garantimin e pjesëmarrjes së barabartë në jetën publike dhe institucionale. Në të drejtën ndërkombëtare, të drejtat gjuhësore njihen si pjesë e të drejtave themelore të njeriut dhe mbrohen nga dokumente si Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në një shtet multietnik, siç është Maqedonia e Veriut, promovimi i gjuhëve amtare ndihmon në integrimin shoqëror dhe institucional të të gjitha komuniteteve, duke garantuar stabilitet dhe përparim.

Përdorimi i gjuhës amtare në administratë, arsim dhe sistemin gjyqësor është një tregues i respektit për barazinë etnike. Kohët e fundit, debati mbi rishikimin e Kushtetutës ka shkaktuar tensione të panevojshme. Në parim, diskutimi është një proces i shëndetshëm, pasi vetëm përmes dialogut mund të gjenden zgjidhje për çështjet që shkaktojnë ndasi. Kushtetuta, si dokument themelor i shtetit, duhet të prodhojë zgjidhje, jo të krijojë probleme apo frustrime.

Qëllimi ynë duhet të jetë forcimi i themeleve të shtetit përmes një Kushtetute gjithëpërfshirëse, e cila ofron qartësi dhe drejtësi. Formulime të papërshtatshme si “20% e popullsisë” duhet të zëvendësohen me terma politikisht dhe etnikisht të pranueshëm. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk janë thjesht një përqindje, ata janë një realitet. Për këtë arsye, rregullimi kushtetues i gjuhës shqipe nuk duhet parë si krizë, por si mundësi për të garantuar një shtet më funksional dhe gjithëpërfshirës.

Kushtetuta nuk duhet të jetë burim konfuzioni apo krizash, por një instrument që forcon themelet e shtetit. Prandaj, është koha të lëmë pas formulime të vjetra dhe të adoptojmë një qasje të re, më të drejtë dhe më përfaqësuese. Shqiptarët nuk janë statistikë – ata janë një pjesë e pandashme e këtij shteti.

Në përfundim, në këtë Ditë Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, le të kujtojmë se gjuha amtare nuk është thjesht një mjet komunikimi, por një e drejtë themelore, e cila duhet të mbrohet dhe të respektohet. Vetëm përmes respektit dhe barazisë mund të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë dhe më të fortë për të gjithë qytetarët e këtij vendi.

(Ky fjalim u mbajt në konferencën shkencore “Gjuha shqipe – Identitet, jo politikë”, të organizuar nga Agjencia e Zbatimit të Gjuhës në Maqedoninë e Veriut.)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretarja e Përgjithshëm e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pasi…