Gjuha vetëviktimizuese e pushtetit për Asociacionin
Fillimisht kryeministri Albin Kurti në një intervistë për televizionin “A2CNN” , kërkoi “llogari” dhe përgjegjësi nga qeveritë e kaluara se pse nuk e kanë themeluar këtë mekanizëm. Ai deklaroi se “Asociacionin është deshtë me kry këta me Hashim Thaçin. Këta kanë prit që unë vij në pushtet dhe ja u kry asociacionin e Hashim Thaçit a? Pse nuk e bënë atëherë? Pse pritën me ardhë unë që e kundërshtoja Zajednicën? Paskan pritë me ardhë unë që e kundërshtoja Zajednicën, me kriju Zajednicën? Jo ne kemi marrëveshje të re. Marrëveshja e re është marrëveshja bazike me aneks të zbatimit”.
Ndërkohë, po ashtu sot, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca e akuzoi BE-në, se i ka uzurpuar kompetencat e shtetit të Kosovës me shkrimin e draft-statutit të Asociacionit. Sipas tij përfaqësuesve të shtetit të Kosovës, kurrë nuk është caktuar një afat “specifik se nëse ju nuk e bëni deri në këtë ditë, ne jua marrim kompetencën. Për këtë arsye unë po them që nuk është fer ndaj Kosovës. Kjo është si një lloj grabitje, do ta kisha quajtur, e një kompetence shtetërore të Republikës së Kosovës”.
Megjithatë, prapa kësaj gjuhe në shikim të parë protestuese dhe refuzuese, në të vërtetë maskohet dorëzimi dhe vet viktimizimi për këtë temë. E para kryeministri shpreh mllefin pse të tjerët nuk e kanë zbatuar këtë entitet, sepse ky tashmë e ka një marrëveshje tjetër, (fjala është për Marrëveshjen bazike të Brukselit dhe planin e zbatimit të dakorduar në Ohër), por është i njëjti që disa herë është zotuar dhe betuar se do ta themelojë veçmas këtë entitet.
Kurse prapa gjuhës se Kryekuvendarit Konjufca, fshihet një detaj tjetër. Ai kërkon që ta zhvesh përgjegjësa pushtetin aktual, sepse ky i fundit ishte viktimë e një qasje të padrejtë të BE-së. Ngase kjo e fundit i ka uzurpuar kompetencat e shtetit të Kosovës. Dhe kështu çfarë do që ndodh me këtë me këtë draft-statut, pushtetarët e sotëm të shfajësohen politikisht sepse ky dokument u ishte imponuar atyre pa vullnetin e tyre.