Gjuka: Besojmë se do të jemi në finale
KH Prishtina kishte paraqitje të mirë në finale të Kupës së Republikës së Kosovës, por e humbi ndeshjen dramatike ndaj Kastriotit të Ferizajt me rezultat 28-27.
Paraqitja në finale të Kupës, jep shpresë te Prishtina për sukses në “play-off”. Në Superligën A luhet edhe një xhiro para se të nis “play-off’-i. Albi Gjuka ishte prej lojtarëve më të mirë të Prishtinës në finalen e së dielës. Ai realizoi 6 gola, shumicën në moment vendimtare.
“Gjysmëfinalja ishte e lehtë dhe arritëm fitore të lehtë. Për finale e kemi ditur që do të jetë lojë e fortë dhe jemi përgatitur. U munduam t’i realizojmë detyrat që na ka dhënë trajneri dhe mendoj që deri në një pikë i realizuam. U munduam deri në sekondat e fundit, por nuk arritëm që të sjellim Kupën në Prishtinë. Tani na pret ‘play-off’-i ku kundërshtar do ta kemi përsëri Kastriotin. Besoj që do të arrijmë të shkojmë në finale. Do të përgatitemi për këto ndeshje, do të analizojmë ndeshjen e fundit dhe do të shikojmë ku kemi pasur gabime, që t’i përmirësojmë ato. Falënderojmë të gjithë tifozët prishtinas dhe ‘Plisat’ për përkrahjen në ndeshjen finale të Kupës”, ka thënë Gjuka.