Gjukanoviq akuzon Rusinë për ndërhyrje në punët e brendshme të Malit të Zi
Zyra e presidentit të Malit të Zi akuzoi të dielën autoritetet e Moskës dhe kreun e Kishës Ortodokse Ruse për ndërhyrje në punët e brendshme të Malit të Zi.
Zyra e presidentit malazez, Milo Gjukanoviq në një reagim, bëri të ditur, se Ministria e Punëve të Jashtme Ruse dhe Kisha Ruse janë anti-malazeze dhe anti-ortodokse.
“Vetëm disa ditë pas Ministrit të Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergej Lavrov, zëdhënësi i Kishës Ruse, Ilarion Alfejev shfaqet me teza dhe me komente cinike rreth ngjarjeve të shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi .”
“Kjo konfirmon se Kisha Ruse është në shërbim të interesit shtetërorë të Federatës Ruse dhe vërteton faktin se janë anti-malazeze dhe anti-ortodokse”, thuhet në njoftimin e presidencës malazeze.
Zyra e presidentit thekson se deklaratat e fundit nga zëdhënësi i Kishës Ruse Ilarion dhe ministri Lavrov konfirmojnë ndërhyrjen e hapur të Rusisë në punët e brendshme të Malit të Zi.
“Është një mënyrë shumë e vrazhdë dhe e papërshtatshme nga një personalitet kaq i lartë i kishës ndaj Malit të Zi, që tradicionalisht ishte miqësore ndaj Rusisë, kurse komenti i ministrit Lavrov mbi ngjarjet e fundit në Cetinë është gjithashtu nën nivelin e shefit të diplomacisë së Rusisë dhe të reputacionit të tij personal”, thuhet në reagim.
Presidenti Gjukanoviq u referohej pohimeve të transmetuara në kanalin televiziv të Kishës Ortodokse Ruse, që citonte deklaratën e një peshkopi të Kishës Serbe ku pretendohej se 500 njerëz ishin të pranishëm në ngjarjet e fundit në Cetinë dhe se ata flisnin keq serbisht dhe se ishin nga Shqipëria ose vende të tjera të rajonit. Televizioni komentonte se ishte diçka negative që Presidenti Gjukanoviq ishte me ta.
“Ky është një mashtrim i qartë pasi më 4 dhe 5 shtator kishte mijëra qytetarë të Cetinës dhe qytetarë të tjerë malazezë në protesta, dhe se ata kryesisht flisnin gjuhën malazeze, por kishte edhe nga ata që flisnin serbisht, dhe se të gjithë ishin të bashkuar në mbrojtjen e dinjitetit të kryeqytetit dhe shtetit të tyre të Malit të Zi ”, përfundon reagimi i presidencës së Malit të Zi.
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, gjatë qëndrimit të tij në Kroaci, javën e kaluar, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të dëshironte që në projektin e “Serbisë së Madhe” ta kishte Kosovën, por pa shqiptarë dhe Malin e Zi pa malazezë. Sipas tij, Vuçiqi e konsideron kthimin e Malit të Zi në Serbi kompensimin e vetëm për Kosovën.
Në një intervistë për mediat kroate Gjukanoviq ka thënë se Serbia dhe Rusia po duan ta vënë nën kontroll Malin e Zi, në çfarëdo mënyre që mund të bëhet.
“Serbia sepse mendon se është koha e duhur për të bërë rivizatim kufijsh në Ballkan e Rusia që të dërgojë mesazh për NATO-n, BE-në e shtetet në rajon”, ka thënë Gjukanoviq.
Duke i konsideruar jo të sinqerta deklaratat e Vuçiqit se Serbia e njeh pavarësinë e Malit të Zi, Gjukanoviq ka thënë se Mali i Zi për Serbinë është një lloj kompensimi në mënyrë që të pranojë Kosovën e pavarur.
Mali i Zi kohët e fundit është përballur me tensione politike e etnike, që nxitën frikën për luftë civile me pushtetin aktual që po akuzohet se po punon në mohim të shtetësisë dhe kombit malazez. Me 5 shtator Mali i Zi ishte pranë konfliktit ndëretnik gjatë shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe, në kryeqytetin historik dhe kulturor të Malit të Zi në Cetinë.
Partitë pro-malazeze që janë kundër ndërhyrjeve serbe po e akuzojnë presidentin serb Aleksandar Vuçiq për destabilizimin të vendit. Presidenti Gjukanoviq ngjarjet e fundit në Mal të Zi i ka cilësuar shumë serioze dhe tejet të rrezikshme për qëndrueshmërinë e rajonit./VOA