Gjukanoviqi: Mali i Zi e mbështet dialogun politik në mes të Kosovës dhe Serbisë
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka thënë se ndër problemet kyçe të Kosovës është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.
Në një konferencë të përbashkët për media, pas takimit me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, ai ka thënë që me vëmendje të veçantë po i përcjellin zhvillimet në skenën politike të Kosovës.
Ai ka thënë se është e rëndësishme që Kosova të jetë konsistente në procesin e dialogut me Serbinë.
“Ne jemi mirënjohës për faktin se Kosova është drejtuar drejt objektivave identike strategjike si Mali i Zi. Kjo është bazë që ne të mbështesim njëri-tjetrin për t’i kaluar sfidat në këtë rrugë dhe në një të ardhme të afër t’i realizojmë qëllimet tona. Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe jemi rrugës për BE. Në këtë fushë mund t’i ndihmojmë njëri-tjetrin”.
“Po përcjellim edhe zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi. Ne e mbështesim dialogun politik që ekziston mes Prishtinës dhe Beogradit dhe besojmë që vetëm dialogu politik mund të çojë te një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe një zgjidhje”.
“Është e rëndësishme që të jeni konsistentë në këtë proces, pasi nuk është vetëm çështje që ka të bëjë me Kosovën dhe Serbinë, por prek stabilitetin e rajonit. Prandaj ne tregojmë interesim të veçantë që ky dialog të vazhdojë”, ka thënë ai.