Gjuriq: Nuk ka vazhdim të dialogut derisa nuk marrim përgjigje për vrasjen e Ivanoviqit
Vrasja e liderit të Iniciativës Qytetare, Oliver Ivanoviq, ka detyruar delegacionin serb të ndërpres takimin e radhës me palën kosovare në Bruksel.
Ndërsa, Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar për mediat serbe se nuk do të ketë vazhdim të dialogut në Bruksel, derisa Serbia të mos marrë përgjigje për vrasjen e Ivanoviqit.
Gjithashtu, Gjuriq ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të qëndrojë në pjesën veriore të Mitrovicës, gjatë të shtunës dhe dielës.
“Informacionet që i kemi marrë deri tani tregojnë për një organizatë të madhe të mirë organizuar”, ka shtuar Gjuriq.
“Çdo minutë jemi duke pranuar informacione të reja, dhe çdo herë e më shumë jam i bindur se vrasësi nuk është nga vendi ynë dhe sigurisht nuk është as ndonjë serb nga Kosova. Nuk po i lusim, por kërkojmë nga organet e sigurisë në Kosovë t’i gjejnë autorët dhe t’i vënë para drejtësisë”, ka shtuar ai.
Sot në mëngjes është qëlluar për vdekje Oliver Ivanoviq në pjesën veriore të Mitrovicës, ndërsa raporti i autopsisë ka konstatuar se ai është qëlluar me 6 plumba.
Gjithashtu, është bërë e ditur se revolja që është përdorur për vrasjen e tij është e tipit “Zastava” prodhim serb. /Telegrafi/