Gjuriq: Përveç Ujmanit, Vuçiqit iu ndalua vizita edhe në këto dy lokacione në Zubin Potok
Përveç vizitës në Liqenin e Ujmanit, Vuçiqit i është ndaluar që të vizitojë edhe dy lokacione të tjera në Zubin Potok. Kështu i ka thënë agjencisë së lajmeve ‘tanjug’, drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Gjuriq ka thënë se presidentit të Serbisë i është ndaluar edhe vizita në Qendrën për Ekologji dhe Sport, dhe në qendrën e Kryqit të Kuq në Zubin Potok.
Siç ka thënë Gjuriq, kjo ndalesë edhe për dy pika tjera është thënë verbalisht, dhe se autoritetet kosovare kanë refuzuar që për një ndalesë të tillë të dërgojnë një vendim të shkruar, pasi sipas tij dokumenti paraprak ku është ndaluar vizita e Vuçiqit në Ujman ka ‘zbuluar gënjeshtrën e palës kosovare”.
Ndërkohë sot presidenti i Kosovës , Hashim Thaçi, ka thënë se nuk ka asnjë ndalesë për presidentin e Serbisë përgjatë vizitës së tij të paralajmëruar në Kosovës, megjithatë dokumenti i publikuar nga Gjuriq, sipas mediumit serb e demanton deklarimin e presidentit të Kosovës.