Gjuriqi: Askush s’mund ta detyrojë Serbinë që ta njohë Kosovën
Drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, ka thënë sot se Beogradi dëshiron të diskutojë çështjen e Kosovës me të gjithë, por ka theksuar se askush nuk mund të imponojë zgjidhje dhe se askush nuk mund ta detyrojë Serbinë të njohë pavarësinë e Kosovës.
Ai ka thënë për “Prva TV” se Beogradi do të bënte çmos për të qenë një mikpritës i mirë i emisarit të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, i cili arrin sot në Prishtinë.
Lajçaku do ta vizitojë Kosovën nga sot, 15 qershor deri më datën 18 qershor.
Kjo do të jetë vizita e parë e tij prej se e ka marrë detyrën e përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd.
Në Kosovë, Lajçaku do të takohet me udhëheqjen politike, përfaqësuesit e partive politike dhe të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë, si dhe krerët e misioneve të vendeve anëtare të BE-së.