
Gjuriqi: Në Uashington edhe tema të vështira politike
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se delegacioni i Serbisë në bisedimet me Kosovën në Uashington, është i hapur për një bisedë konstruktive dhe se do të mbrojë “interesat serbe”.
Gjuriq, i cili është pjesë e delegacionit, u tha gazetarëve se delegacioni dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do të paraqesin një agjendë të bashkëpunimit ekonomik midis Beogradit dhe Prishtinës.
Sipas tij, kjo agjendë mund të ndryshojë plotësisht llojin e marrëdhënieve serbo-shqiptare.
“Jemi përgatitur për projekte serioze të bashkëpunimit midis nesh dhe Prishtinës. Ne kemi përgatitur një spektër të gjerë të projekteve – projekte të infrastrukturës – dhe një mundësi për biznesmenët e rinj. Por, duke u angazhuar në forcimin e lidhjeve ekonomike, jemi gjithmonë të gatshëm të mbrojmë interesat serbe”, tha Gjuriq, transmeton Rel.
Zyrtari i qeverisë serbe tha se pret që në takimin në Shtëpinë e Bardhë, të vendosen në tryezë të bisedimeve edhe tema të vështira politike.
“Nëse kjo ndodh, të gjithë ata që kanë ndjekur politikën serbe për tetë vitet e fundit mund ta dinë se përgjigja e shtetit serb ndaj propozimeve konstruktive do të jetë me përgjegjësi. Por ne do të jemi gjithmonë të gatshëm, kur është e nevojshme, të refuzojmë atë që nuk është në interes të Serbisë”, tha Gjuriq.