Gjuriqi thotë se qeveria e re në Kosovë nuk mund të krijohet pa serbët
Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se ekziston mundësia për zgjedhje të reja në Kosovë.
Ai ka theksuar se formimi i Qeverisë në Kosovë është duke shkuar më vështirë se që ishte paralajmëruar dhe premtuar, raportojnë mediet serbe.
“Nuk do të befasohem nëse ka zgjedhje të reja. Por, faktori i huaj në Prishtinë ka rol dominues rreth kësaj dhe do të ketë rol vendimtar nëse ata do të arrijnë të merren vesh mes vete ose jo”, ka thënë Gjuriqi.
Ai ka theksuar se në zgjedhjet e fundit në Kosovë, përfaqësuesit e Serbisë kanë arritur të fitojnë 10 nga 10 mandatet në Kuvendin e Kosovës që do të thotë se nuk mund të krijojnë qeverinë e re pa serbët.
Në pyetjen se si kaluan diskutimet me Albin Kurtin në takimin e tyre të fundit në Berlin, Gjuriqi ka thënë se ishte një takim i gjerë. Ai ka shtuar se gjatë atij takimi në Berlin, Kurti ishte sjellë në mënyrë të ndershme dhe korrekte, ndërsa në mbledhje ishin prezent rreth 70 pjesëmarrës.