Gjurmët e modeleve të gabuara mediale në kalendarin e kulturës bashkëkohore
Dr. Sc. Shukrije Rama
Në një kohë kur të rinjtë janë në fazën e formimit të identitetit të tyre, ata janë gjithashtu në një periudhë jashtëzakonisht të ndjeshme, ku çdo ndikim mund të jetë vendimtar për të ardhmen e tyre. Mediat, të cilat kanë fuqinë të modelojnë mendimet dhe vlerat, shpesh shndërrohen në një armë të rrezikshme, duke promovuar figura të rreme artistike, duke rrënuar çdo vlerë. Një ndër kërcënimet më të mëdha për rininë e sotme janë të vetëquajturit krijues të “artit” që poshtërojnë artin e pastër. Ata kanë marrë rolin e “modelit” të suksesit, duke i detyruar të rinjtë të besojnë se reputacioni dhe respekti mund të arrihen vetëm përmes artit të shëmtuar.
Në vend që të shërbejnë si shembuj frymëzues, këta artizanë të kaosit artistik, të cilët nuk meritojnë të quhen as artistë, përdorin çdo mjet të mundshëm për të tërhequr vëmendjen. Me veshje dhe shfaqje që nuk kanë asnjë lidhje me shijen dhe estetikën e shëndetshme artistike, këta mjeshtër të rrënojës artistike nuk ofrojnë asnjë vlerë kulturore, vetëm një imazh të shfrenuar dhe vlera shterpe që nxjerrin në pah çdo aspekt të ulët dhe të shkatërruar të shoqërisë. Si përfaqësues të një arti të dështuar, ata nuk njohin kufij etikë, promovojnë idenë e suksesit si diçka që mund të arrihet vetëm përmes pasionit për të tërhequr vëmendjen dhe të provokuar imponimin e çdo norme sociale.
Të rinjtë, të cilët ndodhen në kërkim të vetvetes, shpesh orientohen në këto figura të rreme, të cilat i perceptojnë si modele suksesi. Por pas fasadës së këtyre figurave të rreme, të ndërtuar mbi një krijimtari të dhembshme, të rinjtë ndodhen përballë një boshllëku të frikshëm: një boshllëk vlerash, dhe etikash. Këto modele neveritëse që mediat i kanë ngritur në piedestal, përhapin mesazhe të gabuara që të rinjtë mund t’i përvetësojnë si të vërteta, por që në fund, vetëm dëmtojnë zhvillimin e tyre si individë të përgjegjshëm dhe të shëndetshëm.
Kur mediat zgjedhin dhe promovojnë këta “artistë” të rremë si shembuj të suksesit, ato kontribuojnë në krijimin e një realiteti të pashërueshëm artistik. Këta pseudoartistë, që mbështeten në art përçmues dhe imazhe dëshpëruese për të arritur reputacion, krijojnë një pasqyrë të rremë për rininë, duke i shtyrë ata të mendojnë se kjo është rruga për të arritur sukses. Në fakt, ky është një udhëkryq degjenerues që vetëm përshpejton shpërbërjen e vlerave dhe shkatërron çdo mundësi për të ndërtuar një shoqëri të shëndetshme dhe të qëndrueshme.
Rinia duhet të kuptojë se suksesi nuk arrihet duke u munduar të imitojnë këtë formë të deformuar të “artit” që kultivon art të shuar. Suksesi i vërtetë është rezultat i punës së palodhur, i zhvillimit të aftësive dhe mbështetjes në vlera të shëndetshme, të cilat sigurojnë një të ardhme të qëndrueshme dhe të lumtur. Të rinjtë kanë të drejtën të kërkojnë dhe të ndjekin shembuj që i nxisin të zhvillohen dhe të bëhen më të mirë, e jo të ndjekin maestro të zhurmës destruktive që vetëm përhapin art të dështuar.
Në një shoqëri të shëndetshme dhe të zhvilluar, rinia duhet të ndjekë shembuj që promovojnë vlera kulturore të respektit, etikës dhe punës së palodhur. Këto janë bazat që duhen për të siguruar një të ardhme të lumtur dhe të qëndrueshme. Mediat kanë përgjegjësinë të ofrojnë modele që ndihmojnë në zhvillimin e një shoqërie të fortë dhe të balancuar, duke siguruar që rinia të mos mashtrohet nga fasadat e imituesve të artit, por të ndjekë shembuj të vërtetë që i ndihmojnë të rriten dhe të kontribuojnë në një shoqëri të zhvilluar dhe të përgjegjshme.