Gjykata dje i tërhoqi vërejtjen për presion, sot presidenti takoi ambasadorët e Quintit
Pas takimit me ambasadorët e Quintit, presidenti Hashim Thaçi ka kërkuar sot që të respektohen institucionet e pavarura, duke e përmendur veçmas Gjykatën Kushtetuese, ndonëse kjo Gjykatë dje i ka akuzuar Thaçin dhe kryeministrin në detyrë, Kurtin, për presion ndaj saj.
Presidenti Hashim Thaçi ka pritur sot në takim ambasadorët e Quintit dhe përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian e që, sipas një cicërime në “Twitter”, është diskutuar për rimëkëmbjen ekonomike pas kalimit të situatës me COVID-19 në Kosovë.
Thaçi, po ashtu, “ka thënë se respektimi i institucioneve të pavarura është jetik për demokracinë”.
Me këtë fjali ai i është referuar vendimit që pritet ta marrë Gjykata Kushtetuese për dekretin e tij në lidhje ne mandatarin për formimin e qeverisë së re jo më larg se më 29 maj.