Gjykata e Apelit bllokon publikimin e dokumenteve të Trumpit

12 nëntor 2021 | 12:24

Një Gjykatë e Apelit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka refuzuar përkohësisht kërkesën e një komiteti i cili po heton trazirat e 6 janarit në Kongres për të pasur qasje në të dhënat e Shtëpisë së Bardhë të ish-presidentit Donald Trump.

Vendimi pason dy ditë pasi një gjykatëse federale urdhëroi që dokumentet t’i dorëzohen Komitetit hetues.

Komiteti, i përbërë nga ligjvënës të Dhomës së Përfaqësuesve, po përpiqet të zbulojë nëse Trumpi ka pasur njohuri paraprake për trazirat.

Më 6 janar, mbështetësit e Trumpit e kishin sulmuar ndërtesën e Kongresit, derisa ligjvënësit po mblidheshin për të vërtetuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.

Trumpi ka refuzuar të pranojë humbjen përballë presidentit Joe Biden në zgjedhjet e vitit të kaluar, duke pretenduar pa prova se ka pasur mashtrime masive në votime.

Hetimet po bëhen nga një komitet i ngritur nga Dhoma e Përfaqësuesve, e cila dominohet nga demokratët e presidentit Biden.

Paneli dëshiron të shohë të dhëna telefonike, regjistra të vizitorëve dhe dokumente të tjera të Shtëpisë së Bardhë, që mund të hedhin dritë mbi ngjarjet e 6 janarit.

Por, Gjykata e Apelit në Uashington vendosi ndalesë të përkohshme mbi urdhrin e një gjykate më të ulët për dorëzimin e dokumenteve të premten.

Gjykata e Apelit tha se do të caktojë një seancë për 30 nëntor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klubi anglez, Manchester City tashmë i ka vendosur çmimin sulmuesit…