Gjykata e Apelit konfirmon pafajësinë e Limajt në rastin ‘Bellanica’
Gjykata e Apelit e ka vërtetuar gjykimin e Gjykatës Themelore të Gjakovës që e shpalli Fatmir Limajn të pafajshëm në rastin e njohur si ‘Bellanica’.
Gjykata Themelore në Gjakovës, në mars të këtij viti ka shpallur të pafajshëm Fatmir Limajn në lidhje me vrasjet e dy civilëve Ramiz Hoxhës e Selman Binishi.
Hoxha e Binishi ishin vrarë më 2 tetor 1998 në Komunën e Malishevës gjatë kohës së luftës, pasi, sipas prokurorisë, ishin marrë nga persona të maskuar e të armatosur me uniforma të UÇK-së.
Lidhur me këtë rast, aktakuza ndaj Limajt për krime lufte ishte ngritur më 28 tetor 2016.
Në aktgjykim e Gjykatës së Apelit të siguruar nga kallxo.com u refuzua si e pabazë ankesa e Prokurorisë Speciale të Kosovës ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Gjakovës.
“Gjykata.. aktgjykimin e vlerësoi dhe gjeti se gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të qarta dhe të plota rreth argumentit se i akuzuarin Fatmir Limaj nuk është kryes i veprës penale ‘krimi i luftës kundër popullsisë civile… krimet e luftës për shkelje të rënda…të përbashkët me Konventat e Gjenevës…”, thuhet në aktgjykim.
Aktakuza ndaj Limajt për krime lufte ishte ngritur më 28 tetor 2016.
Aktakuza e ngarkonte të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.
Sipas Prokurorisë Speciale Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, më 2 tetor 1998 janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.
Prokuroria në aktakuzë pretendon se Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje.