Gjykata e Apelit lë në burg pa afat Ilir Metën, Monika Kryemadhi në detyrim paraqitje
Gjykata e Apeli të Posaçëm kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masat e sigurisë ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit të caktuara nga Shkalla e Parë më 23 Tetor 2024.
Ilir Meta do të vazhdojë të qëndrojë në arrest në burg, ndërsa edhe për Monika Kryemadhin qëndron masa detyrim paraqitje. Ilir Meta kishte kërkuar lirimin nga paraburgimi.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Igerta Hysi, sot më datë 19.11.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 60 akti, datë 11.11.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim I.M. dhe M.K., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 dhe vendimit nr. 130, datë 23.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
– Miratimin e vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 130, datë 23.10.2024 të së njëjtës gjykatë, për pjesën e ankimuar nga personat nën hetim I.M. dhe J.K”, thuhet në vendimin e Apelit të Posaçëm.