Gjykata e Apelit vendos lidhur me ankesat për tre zyrtarët për rastin e gylenistëve
Gjykata e Apelit e Kosovës ka vendosur lidhur me ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe ankesën e avokatëve mbrojtës, në çështjen penale kundër të pandehurve Driton Gashi, Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylejman.
Të tre ata dyshohen nga Prokuroria speciale për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.
“Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, në pjesën ku janë shpallur si të papranueshme, një pjesë e provave, përkatësisht deklaratat e disa dëshmitarëve është vërtetuar”, sipas komunikatës.
Kurse, “pjesa tjetër e aktvendimit më të cilën janë refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave është kthyer në rivendosje, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale”, thuhet në komunikatën për medie të Gjykatës së Apelit.
Sipas komunikatës, “të pandehurit D.G. dhe V.K. po dyshohen nga Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës për shkak të veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPK-së, ndërsa i pandehuri RR.S. për shkak të veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPK-së dhe për veprën penale Privimi i kundërligjshme i lirisë nga neni 196 paragrafi 3 të KPK-së”.