Gjykata e Apelit vërteton dënimin për Kurtin, Haxhiun, Kadaj-Bujupin dhe Topallin
Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimin me burgim me kusht për liderin e Lëvizjes Vetëvendosjes (LV), Albin Kurti, deputeten Albulena Haxhiu, deputeten Donika Kadaj-Bujupi dhe për deputetin Faton Topalli.
Vendimi i Apelit është marrë pas ankesave ndërsa lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i gjykatës Arbër Jashari.
“Vendimi i Gjykatës së Apelit është që vendimi i shkallës së parë të vërtetohet”, ka thënë Jashari raporton “Kallxo.com”.
Gjykata Themelore i ka shpallur fajtorë katër deputetët: Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu.
Për përdorim të armës, deputeti Albin Kurti është dënuar me 1 vjet e 3 muaj burg, për pengim të personit zyrtar me 6 muaj burg. Dënimi unik: 1 vjet e 6 muaj burg.
Dënimi është me kusht me periudhë verifikimi 2-vjeçare.
Deputetja Albulena Haxhiu për përdorim të armës është dënuar me 1 vit e 2 muaj burgim. Për pengim të personit zyrtar me 4 muaj. Dënimi unik: 1 vit e 3 muaj.
Donika Kadaj-Bujupi për përdorim të armës është dënuar me 1 vit e 3 muaj, për pengim të personit zyrtar me 6 muaj burgim. Dënim unik: 1 vit e 6 muaj.
Ndërsa, deputeti Faton Topalli për përdorim të armës është dënuar me 1 vit burgim dhe për pengim të personit zyrtar me 3 muaj burg. Dënimi unik: 1 vit e dy muaj.
Të gjitha këto dënime janë me kusht me periudhë verifikimi 2-vjeçare.
Të katër deputetët e Kuvendit të Kosovës akuzohen për hedhje të gazit në seancën e Kuvendit të Kosovës me qëllim të pengimit të ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe Marrëveshjen për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe.
Gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor, deputetët deklaruan se veprimet e tyre ishin vetëm në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, duke parandaluar kështu një të keqe të madhe që po i kanosej Kosovës, apo siç e quajtën ata “faljen e mijëra hektarëve tokë dhe bosnjëzimin e Kosovës”.