Gjykata e lartë britanike: Pezullimi i parlamentit, i paligjshëm
Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar ka vendosur të martën që të shpallë të paligjshëm veprimin e kryeministrit Boris Johnson, i cili kishte këshilluar mbretëreshën Elizabeth të pezullojë parlamentin, disa javë para Brexitit.
Sipas gjykatës, rrjedhimisht pezullimi është i pavlefshëm.
Vendimi u hapi rrugën ligjvënëseve që të kthehen në parlament ku kryeministri Johnson nuk e ka shumicën. Situata e re mund t’u jap mundësi ligjvënësve që kundërshtojnë largimin nga Bashkimi Evropian pa një marrëveshje, gjë që kryeministri është kërcënuar ta bëjë, ta pengojnë strategjinë e tij.
Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Brenda Hale, tha se “vendimi për të këshilluar madhërinë e saj që të pezullojë parlamentin ishte i paligjshëm, sepse pengonte parlamentin që të kryejë funksionin e tij kushtetues, pas një arsyetim të qëndrueshëm”.
Ajo tha se vendimi ishte i njëzëshëm nga të gjithë 11 anëtarët e gjykatës dhe tash u takon kryetarëve të dhomave të parlamentit të vendosin për veprimet e mëtejshme.
Parlamenti u pezullua nga 10 shtatori deri më 14 tetor. Pezullimi u miratua nga mbretëresha Elizabeth, shefja e paanshme e shtetit, me këshillën e kryeministrit.
Kryetari i dhomës së përfaqësuesve, John Berkow, mirëpriti vendimin e gjykatës duke paralajmëruar fillimin e këshillimeve me udhëheqësit e partive për rifillimin punës së parlamentit.