Gjykata e Lartë i hap rrugë Netanjahut të rimarrë postin e kryeministrit
Gjykata e Lartë e Izraelit i ka hapur rrugën kryeministrit në detyrë, Benjamin Netanjahu, që të rimarrë karrigen e kryeministrit për të 5-ën herë në karrierën politike.
Kryeministrit i Izraelit, Benjamin Netanjahu, pritet për të katërtën herë radhazi të kryesojë qeverinë, pas kapërcimit të një pengese ligjore që rrezikonte t’i jepte fund karrierës së tij politike.
Me vendim unanim, Gjykata e Lartë izraelite refuzoi të mërkurën peticionet e shoqërisë civile dhe të partive opozitare që kërkonin ta skualifikonin 70-vjeçarin Netanjahu nga formimi i kabinetit, me arsyen se ai është nën akuzë formale për korrupsion.
Gjykatësit gjithashtu nuk e morën parasysh kërkesën se marrëveshja e koalicionit që u arrit muajin e kaluar mes kreut në detyrë të qeverisë dhe rivalit të tij politik, Beni Ganx, shkelte ligjor themelor të shtetit.
Me shpalljen e vendimit, partia “Likud” e Netanjahut dhe aleatët e rinj, “Bardheblu”, kanë njoftuar bashkërisht se ceremonia për betimin e qeverisë pritet të mbahet të mërkurën e ardhshme.
Sipas marrëveshjes së tyre, kryeministri aktual pritet të udhëheqë kabinetin për 18 muaj, dhe roli do i kalojë më pas rivalit Ganx për të qëndruar po aq gjatë në pushtet.
Dy aleatët dikur kundërshtarë të ashpër me njëri-tjetrin e kanë argumentuar koalicionin si nevojë që vendi të ketë një ekip për t’iu përgjigjur krizës me pandeminë e koronavirusit.
Aleanca e tyre është pritur me protesta më parë.
Netanjahu akuzohet nga prokuroria për korrupsion dhe shpërdorim detyre, duke përvetësuar dhurata nga biznesmenët në këmbim të favoreve.
Gjyqi ndaj tij është parashikuar të mbahet më 24 maj, ndërsa nëse shpallet i fajshëm, politikani 70-vjeçar rrezikon mbi 10 vite burg. /Ora News.tv/