Gjykata e Lartë zbardh vendimin e plotë për çështjen e vulës së PD-së, Berisha afër të fitoj betejën ndaj Bashës
Gjykata e Lartë ka zbardhur vendimin e plotë për çështjen e vulës së Partisë Demokratike, sa i takon rikthimit për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit.
Kujtojmë se më 27 dhjetor, Gjykata e Lartë e ktheu në Apel vendimin e 3 marsit të këtij viti – ku Apeli ktheu në shkallë të parë çështjen e logos dhe vulës së Partisë Demokratike.
Kështu Gjykata, bën me dije se Apeli nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet respektive dhe se i takon të marrë një vendim.
Sipas saj, në Apel janë shqyrtuar çështje për të cilat palët nuk i kanë ngritur si pretendime në ankim, dhe që gjithsesi nuk përbëjnë shkak për prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim.
“Kolegji vlerëson se pretendimet e ngritura në ankimet e paraqitura pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë çështje të cilat mund të zgjidheshin vetë nga ajo gjykatë”.
Kështu me këtë vendim Gjykata e Lartë “prishi” vendimin e Apelit – i cili rrëzoi vendimin e gjyqtarit, Agron Zhukri, që i dha vulën Sali Berishës, dhe njohu vendimet e Kongresit të tij.
Pjesë nga vendimi
Duke iu rikthyer rastit konkret, si dhe në përmbajtje të akteve shkresore të administruara në dosje, rezulton se gjyqtari Agron Zhukri ka dhënë dorëheqjen nga shqyrtimi i çështjes objekt shqyrtimi, për të cilin, Zëvendëskryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin e datës 20.12.2021 ka vendosur: “Mospranimin e kërkesës për heqje dorë të gjyqtarit Agron Zhukri” (shiko faqen 57 të dosjes gjyqësore në shkallë të parë).
Gjithashtu, rezulton i provuar fakti se, PDSH përfaqësuar nga Kryetari Lulzim Basha, edhe pse nuk ka qenë i legjitimuar formalisht dhe proceduralisht si palë në gjykim, ka paraqitur kërkesën e datës 21.12.2021 dhe të datës 24.12.2021, për përjashtimin nga gjykimi të mosmarrëveshjes objekt shqyrtimi të gjyqtarit Agron Zhukri (shiko faqen 64-68 të dosjes gjyqësore në shkallë të parë si dhe faqen 1 të dosjes gjyqësore që ka lidhje me shqyrtimin e kërkesës për përjashtim gjyqtari). Këto kërkesa janë trajtuar me vendimin e datës 04.02.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke u vendosur mospranimi i kërkesës, vendim i cili, nuk rezulton të jetë ankimuar me vendimin përfundimtar, që në këtë rast ka qenë vendimi nr. 3, datë 25.03.2022 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, nga ana e PDSH përfaqësuar nga kryetari z.Lulzim Basha. Në këtë kuptim, vendimi i datës 04.02.2022 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është vendim i formës së prerë sipas nenit 451/b të KPC, për palën që e ka pretenduar.
Nga aktet e administruara në dosje, ka rezultuar gjithashtu i provuar fakti se, pala kërkuese në këtë gjykim, Komisioni i Rithemelimit, ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Blerina Muça nga shqyrtimi i kushteve formale të pranueshmërisë së ankimit së paraqitur nga PDSH e përfaqësuar nga deputeti Enkelejd Alibeaj me autorizim të lëshuar nga z.Lulzim Basha, pretendim, i cili është rrëzuar me vendimin nr.542, datë 19.04.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ky vendim nuk rezulton të jetë ankimuar nga pala kërkuese së bashku me vendimin e ndërmjetëm nr. 508 Regj. Them., datë 22.04.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me të cilin është pranuar ankimi i paraqitur ndaj vendimit përfundimtar me nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe në këto kushte kjo çështje nuk mund të shqyrtohej nga Gjykata e Apelit.
Gjykata e Apelit ka marrë kryesisht çështjen e papajtueshmërisë së gjyqtarit Agron Zhukri, pasi ky pretendim nuk rezulton që të jetë pretenduar nga pala që ka ushtruar ankimin.
Nga ana tjetër, kjo gjykatë nuk rezulton që të ketë marrë në shqyrtim dhe ti ketë dhënë përgjigje palës kërkuese në këtë gjykim dhe as të ketë vlerësuar kryesisht nëse gjyqtarja Blerina Muçi, e cila ka dhënë vendimin nr. 508, datë 22.04.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me të cilin, i është hapur rruga për shqyrtimin e çështjes në shkallë të dytë, ka qenë në kushtet e papajtueshmërisë së përcaktuar nga neni 72 i KPC. Kolegji vlerëson të theksojë faktin se, në të dy rastet, themeli i pretendimeve të palëve për të përjashtuar gjyqtarët Muçi dhe Zhukri ka qenë raporti i tyre me shtetasin Sali Berisha, i cili, është njëkohësisht edhe anëtar i Komisionit të Rithemelimit.
Në lidhje me këtë çështje, Kolegji pavarsisht se vlerëson që pretendimet e ngritura nga palët e interesuara për të përjashtuar të dy gjyqtarët nuk janë të asaj shkalle që kërkon neni 72, pika 3 dhe 6 të KPC, pasi në rastin konkret, procesi gjyqësor nuk tërheq në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat e shtetasit Sali Berisha (si individ), por ka si palë personin juridik të së drejtës, konkretisht PDSH, i cili është pretenduar se përfaqësohet nga organi kolegjial, Komisioni i Rithemelimit, çmon nga njëra anë se gjykata e apelit as mund të mërrte kryesisht në shqyrtim pajtueshmërinë e gjyqtarit Zhukri, aq më tepër referuar vendimit të zv.Kryetarit të gjykatës për mospranimin e dorëheqjes së tij, dhe nga ana tjetër, do të duhej të përgjigjej lidhur me pajtueshmërinë e gjyqtares Muçi, sa kohë këtë e kishte një nga shkaqet e ankimit.
Kolegji vlerëson se edhe shkaku tjetër i përdorur nga gjykata e apelit për të prishur vendimin e dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe për ta kthyer çështjen sërisht për rigjykim pranë kësaj gjykate, nuk qëndron.
Gjykata e Apelit ka interpretuar, edhe në këtë rast kryesisht, se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vepruar gabim dhe në kundërshtim me nenin 297/a të KPC, dhe 298 lidhur me pezullimin e gjykimit dhe rifillimin e tij pa rënë ky shkak pezullimi. Në fakt rezulton se shkaku ligjor që ka vlerësuar Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë për pezullimin e gjykimit nuk ka qenë sipas pikës “a” të nenit 297 të KPC, por sipas pikës “d” të këtij neni. Pra, gjykata e apelit ka ndryshuar shkakun ligjor mbi të cilin gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar pezullimin e gjykimit, fakt që ka bërë të vlerësoj më pas në mënyrë të gabuar edhe rrethanat në të cilat gjykimi ka rifilluar.
Kështu, rezulton se Gjykata e Shkallës së parë ka pezulluar shqyrtimin e çështjes me arsyetimin se nuk mund të shqyrtojë kërkesën për regjistrimin e akteve pa ju vënë më parë në dispozicion aktet e nevojshme nga zyra e regjistrimit të partive politike, akte të cilat ndodheshin për shqyrtim tek një gjyqtare tjetër e gjykatës. Ndërsa, gjykata e apelit ka vlerësuar se në rastin konkret, të dyja çështjet e paraqitura para gjykatës së rrethit gjyqësor kanë lidhje të ngushtë mes tyre dhe pa përfunduar zgjidhja e çështjes së parë me vendim përfundimtar, nuk mund të vijonte çështja e dytë.
Në nenin 467 të KPC, është përcaktuar qartësisht se: “Gjykata e apelit prish vendimin e gjykatës së shkallës së parë, tërësisht ose pjesërisht, sipas kufijve të nenit 121, të këtij Kodi, dhe e dërgon çështjen për rigjykim kur: a) gjykata e shkallës së parë ka shkelur dispozitat mbi juridiksionin dhe kompetencën; b) përbërja e trupit gjykues nuk ka qenë e rregullt ose vendimi nuk është nënshkruar nga anëtarët e tij, ose është cenuar parimi i paanësisë; c) gjykata e shkallës së parë ka vendosur pushimin e çështjes në kundërshtim me rregullat e përcaktuara nga ky Kod; ç) çështja është gjykuar në mungesë të pjesëmarrësve në proces, pa pasur dijeni për gjykimin; d) nuk është formuar drejt bashkëndërgjyqësia, sipas nenit 162, paragrafi i dytë, i këtij Kodi; dh) kur mungojnë ose janë të pavlefshme padia, procesverbali gjyqësor, ankimi, si dhe çdo dokument tjetër që ka ndikuar në dhënien e vendimit; e) gjykata e shkallës së parë nuk e ka kryer shqyrtimin gjyqësor të të gjitha kërkimeve lidhur me objektin e mosmarrëveshjeve”.
Në analizë të përmbajtjes së nenit të sipërcituar, Kolegji vlerëson se, edhe aplikimi i gabuar apo mosrespektimi i përcaktimeve të nenit 297 të KPC, që kanë të bëjnë me pezullimin e gjykimit, nuk përfshihet në ato shkelje të rënda procedurale, të cilat ta bëjnë nul gjykimin e zhvilluar në gjykatën e shkallës së parë, pasi të gjitha faktet e vlerësuara të nevojshme si shkak pezullimi gjykata e apelit mund ti realizojë vetë nëpërmjet riçeljes së hetimit gjyqësor.
Gjithashtu, gjykata nuk ka dhënë asnjë argument dhe asnjë vlerësim ligjor dhe faktik se, cila është lidhja e ngushtë e cila kushtëzon zgjidhjen e çështjes objekt shqyrtimi, pa u zgjidhur më parë me vendim të formës së prerë, çështja civile që ka për objekt “Regjistrimin e vendimeve të marra në Kuvendin Kombetar të datës 17.07.2021”. Kjo për faktin se, vendimet që kërkohen të regjistrohen në mosmarrëveshjen objekt shqyrtimi, janë më të vonëshme në kohë, pasi kanë dalë nga Kuvendi Kombëtar i PDSH, i mbledhur në mënyrë të jashtëzakonshme në datën 11.12.2021. Për këtë arsye, ky shkak nuk mund të përdoret për të prishur vendimin e dhënë nga gjykata e shkallës së parë dhe për ta kthyer çështjen sërisht për rigjykim pranë kësaj gjykate me një tjetër trup gjykues, pa u bërë më parë një vlerësim i fakteve dhe rrethanave të secilës prej çështjeve, si dhe lidhjes së ngushtë që ekziston mes tyre.
Për gjithë sa është pasqyruar më sipër në këtë vendim, Kolegji vlerëson se, rekursi i paraqitur nga pala kërkuese në këtë gjykim PDSH përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit përmban shkaqe ligjore nga ato që parashikon neni 472 i KPC dhe për këtë arsye, vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit duhet të prishet dhe çështja duhet të kthehet për rishqyrtim pranë kësaj gjykate më një tjetër trup gjykues, sipas përcaktimeve të nenit 485, shkronja c të KPC.
Vendimi i dhënë nga gjykata e apelit është një vendim jopërfundimtar, pasi nuk i ka dhënë zgjidhje në themel mosmarrëveshjes objekt shqyrtimi, fakt i cili, e vë Gjykatën e Lartë si një gjykatë ligji, në pamundësi për ta zgjidhur këtë çështje në themel të saj, pasi nuk është garantuar zgjidhja e mosmarrëveshjes në mënyrë përfundimtare në shkallën e dytë të gjykimit. Gjithashtu, në kushtet kur për identifikimin dhe shqyrtimin e drejtë të kësaj çështje, kërkohet që të shtrihet shqyrtimi gjyqësor si dhe të kryhet vlerësimi i fakteve, rrethanave dhe provave të administruara në dosje, çështje të cilat janë jashtë juridiksionit rishikues të Gjykatës së Lartë. Për këtë arsye, Kolegji, brenda kufijve të tij të gjykimit, e ka kufizuar shqyrtimin gjyqësor të kësaj cështje në drejtim të identifikimit e gabimeve që ka lejuar Gjykata e Apelit në drejtim të gjykimit, hetimit të paplotë dhe interpretimit të gabuar të normave procedurale që ka lejuar Gjykata e Apelit, duke mos i dhënë zgjidhje përfundimtare mosmarrëveshjes objekt shqyrtimi, sipas përcaktimeve të nenit 485, shkronja “a” “b” dhe “ç” të KPC.
Kolegji, vlerëson të bëjë evident faktin se, gjatë fazës së rigjykimit, Gjykata e Apelit, duhet të mbajë në konsideratë orientimet e dhëna në këtë vendim, duke ruajtur kufijtë e shqyrtimit gjyqësor në këtë gjykatë, të cilat varen nga kufijtë dhe shkaqet e ankimit që kanë investuar gjykatën e apelit. Kjo gjykatë, duhet tu bëjë të qartë palëve se është detyrë e secilës prej tyre, që në përputhje me ligjin të provojnë faktet mbi të cilat bazojnë pretendimet për të drejtat që kërkojnë. Palët ashtu siç kanë të drejta kanë dhe detyrime që rrjedhin prej këtij procesi, në format dhe afatet e parashikuara me ligj. Gjykata duhet të lejojë palët që të paraqesin prova shkresore me anën e të cilave, ato të provojnë pretendimet e tyre bazuar në nenin 12 dhe 19 të KPC dhe t’i lejojë palët që t’ia nënshtrojnë këto prova hetimit e debatit gjyqësor.
Gjithashtu, Gjykata e Apelit duhet të mbajë në vëmendje dhe të zgjidhë çështjen në përputhje me përcaktimet e bëra në nenin 5, 6, 95, 120 të KPC dhe brenda kufijve ligjore që përcaktohen në nenin 467 të KPC, si dhe ti japë zgjidhje përfundimtare asaj në përputhje edhe me praktikën gjyqësore të konsoliduar në shqyrtimin e kësaj natyre mosmarrëveshjeje. Kryerja e veprimeve të përmendura më sipër, si dhe e të tjerave që eventualisht mund të lindin gjatë rigjykimit, do të lejojnë gjykatën të arrijë në përfundime të drejta dhe objektive lidhur me zgjidhjen e çështjes.
Për sa më sipër, Gjykata e Lartë, si gjykatë ligji, nuk i hyn analizës së provave, gjë që duhet ta bëjnë gjykatat e niveleve me të ulëta, por ajo vetëm evidenton shkeljet ligjore që kanë lejuar gjykatat e ulëta, qoftë të normave procedurale apo atyre materiale, duke kërkuar respektimin e tyre. Në rrethanat kur gjykata e apelit i ka të gjitha mundësitë ligjore të marrë në shqyrtim dhe të zgjidhë mosmarrëveshjen objekt gjykimi, Kolegji, vlerëson të prishë vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe të dërgojë çështjen për rishqyrtim pranë kësaj gjykate, me një tjetër trup gjykues.