Gjykata e Romës anuloi vendimin për transferimin e emigrantëve në Gjadër”, reagon Meloni
Qeveria italiane u zotua të premten se do ta çojë përpara planin e kontestuar për dërgimin e azil-kërkuesve jashtë vendit, duke thënë se do ta apelojë vendimin e gjykatës që tha se grupi i migrantëve që u dërguan nëpër qendrat pranuese në Shqipëri, duhet të kthehet në Itali.
Gjykata i dha një flakaresh të nxehtë projektit madhor të kryeministres italiane, Giorgia Meloni për strehimin e migrantëve të kapur në det në objekte jashtë BE-së.
Meloni thirri mbledhje të kabinetit për të hënën për të vendosur mbi reagimin qeveritar ndaj vendimit ligjor.
Gjykata tha sot se 12 migrantët që u vendosën në Gjadër, Shqipëri, duhet të kthehen në Itali pasi që vendet e tyre të origjinës – Egjipti dhe Bangladeshi – nuk mund të konsiderohen të sigurta.
Duke folur para gazetarëve gjatë një udhëtimi në Liban, Meloni e quajti vendimin “paragjykues” dhe tha se i takon qeverisë së saj për të përcaktuar se cilat vende janë të sigurta e cilat jo, duke thënë se do të hartojë rregulla të reja për të adresuar këtë çështje.
“Ndoshta qeveria duhet të sqarojë më mirë se çka nënkuptohet me vend të sigurt”, tha ajo.
Edhe ministri i brendshëm italian, Matteo Piantedosi tha në një konferencë për media se ishte i bindur se vendimi do të anulohej, duke shtuar se qeveria do ta bëjë apelin deri te Gjykata Supreme, nëse nevojitet.
Migrantët u dërguan këtë javë në Shqipëri nga një anije luftarake italiane. Fillimisht ishin 16, por 4 nga ta janë kthyer më herët në Itali për arsye shëndetësore apo sepse ishin minorenë.
Vetëm migrantët që vijnë nga një listë prej 22 shtetesh të cilat Italia i ka klasifikuar si të sigurta, mund të dërgohen në Shqipëri.
Egjipti dhe Bangladeshi janë në mesin e tyre, por një vendim i fundit i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (ECJ) për këtë çështje, e bëri të pamundur mbajtjen e tyre në Shqipëri, tha gjykata e Romës.
Migrantët do të kthehen në Itali me anije të shtunën, ka thënë për Reutersin një zyrtar italian, që nuk deshi të identifikohej me emër.