Gjykata e Shkupit e dënon me 7 vjet burg Nikola Gruevskin
Gjykata e Shkupit ka dënuar në mungesë me 7 vite burg ish-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, i cili pasi u largua nga vendi shkoi në Hungari.
Mediat maqedonase bëjnë me dije se Gruevski akuzohet se ka përvetësuar 1.3 milionë euro nga partia që ai drejtonte për të blerë tokë për të bërë ndërtime.
Nikola Gruevski u arratis në Hungari në nëntor 2018 për të shmangur vuajtjen e dënimit me dy vjet burg në një gjyq të dytë dhe menjëherë iu dha azil politik në Budapest.
Edhe disa procedura të tjera penale janë në pritje kundër tij në Shkup.
Gjykimi ka zgjatur nëntë muaj dhe gjykata ka vendosur që të konfiskohet pasuria e krijuar nga vepra penale.
Prokuroria e shtetit akuzoi Gruevskin në rastin “Parcelat mbi ujë” se ka marrë 1.3 milionë euro nga donacionet e VMRO-DPMNE dhe më pas ka blerë prona në Shkup dhe Krushevë.
Nga tetori 2012 deri në shtator 2013, me paratë që Gruevski përvetësoi nga VMRO DPMNE, është blerë toka ndërtimore në Vodno, ndërsa Kamçevi, sipas Prokurorisë, është angazhuar në rishitjen e parcelave atraktive në Vodno.
Gjatë gjykimit u zbulua se Gruevski e ka këmbyer atë tokë me tre apartamente luksoze në kompleksin “Panorama” në Vodno dhe janë zbuluar edhe dy apartamente, një tjetër tokë në Vodno dhe dy parcela në Krushevë.