Gjykata e Strasburgut obligon Serbinë t’ua paguajë ish-punëtorëve të RTP-së mijëra euro
Kanë kaluar 29 vjet nga mbyllja e dhunshme e Radiotelevizionit të Prishtinës (RTP) nga forcat policore serbe, e cila ka ndodhur vetëm tri ditë pas shpalljes së Deklaratës së 2 Korrikut nga delegatët e Kuvendit të Kosovës.
Atëbotë, qindra punëtorë shqiptarë mbetën në rrugë, kurse Kosovën e kishte kapluar terri informativ e kulturor.
29 vjet pas, Këshilli organizativ i okupimit barbar të RTP-së, duke kujtuar 5 korrikun e vitit 1990, në një konferencë për medie kanë folur për kontributin e gazetarëve të atëhershëm për informimin e popullit shqiptar.
Qemajl Sokoli, kryetar i Këshillit grevist ka rrëfyer për kohën kur me qindra gazetarë u patën dëbuar nga forcat serbe nga institucioni që aso kohe po informonte popullin.
RTP-ja sipas tij ishte pushka më jehuese e kombit edhe sinonim i qëndresës.
“Pas okupimit barbar serb të RTP-së në vitin 1990, 1 300 punëtorë shqiptarë mbetëm në rrugë, kurse Kosovën e kaploi terri informativ e kulturor. Mirëpo përmes emisioneve të sajuara, jashtë si në Zagreb e Shqipëri, me vetëmohim përkushtues e flakëm atë terr. Dhe informuam për gjendjen e rëndë të nën thundrën okupuese, si dhe e propaganduam luftën e drejtë të UÇK-së”, ka thënë Sokoli.
Sipas Qemajl Sokolit pas çlirimit në vitin 1999 kur të gjithë prisnin që të kthehen aty, kishte ndodhur e papritura.
Ai ka thënë se qeveritë e mëhershme i ka mashtruar ata çnjerëzisht, për çka nga viti 2 000 janë një proces gjyqësor.
Ndërsa, Hilmi Kastrati, drejtor i Bordit të RTP-së, ka thënë se ky institucion me punën e tij profesionale, kishte tundur politikën fashiste të Beogradit të asaj kohe. Pavarësisht kësaj, ai ka thënë se shoqëria sot po sillet me injorancë ndaj këtij institucioni.
Ai ka bërë me dije se janë duke i ndjekur rrugët ligjore në raport me statusin e RTP-së. “Shkalla e parë e Gjykatës Komunale ka vendosur në favor të RTP-së në vazhdimësi, duke ditur faktet bindëse të RTP-së, në favor tonin ka vendosur edhe shkalla e parë e Dhomës së veçantë e Gjykatës Supreme e Kosovës.
Përderisa shkalla e dytës edhe Dhomës së veçantë e Gjykatës Supreme, lëndën e RTP-së e ka proceduar në Gjykatën e Apelit, për çka presim përgjigje të shpejtë të kësaj gjykate dhe kthimin e institucionit dhe të gjitha aseteve që i posedon ky institucion , natyrisht kthimin e gjithë punëtorëve në vendet e tyre të punës”, është shprehur Kastrati.
Ai ka bërë me dije se Gjykata se Strasburgut për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, ka urdhëruar Republikën e Serbisë që të paguaj për secilin punëtor nga 33 150 euro dhe një dënim prej 10 000 eurosh për secilin, në të kundërtën kjo gjykatë do ta ndëshkojë Serbinë me kamata bankare ditore.
Alexander Borg Olivier, përfaqësues ligjor i Këshillit grevist, ka thënë se është i angazhuar t’i ndihmojë ata, në mënyrë që t’u realizohen të drejtat e tyre pronësore. /Ksp/