Gjykata greke dënon futbollistin e Manchester, Maguire trilloi histori të turpshme për shqiptarët
Kapiteni i Manchester United, Harry Maguire është shpallur fajtor nga gjykata greke dhe është dënuar me kusht 21 muaj e 10 ditë burgim për sherrin ku u përfshi në ishullin e Mykonos në Greqi.
Futbollisti 27-vjeçar u shpall fajtor për akuzat e dëmtimeve trupore, tentativë për të dhënë ryshfet, dhunë dhe fyerje ndaj punonjësve të policisë pas arrestimit. Bashkë me të, u shpallën fajtorë dhe u dënuan me 13 muaj burgim vëllai dhe shoku i Harry për të njëjtat akuza.
Maguire, i cili u gjykua në gjendje të lirë pasi është në liri me kusht, tha se vendimin e gjykatës do ta apelojë.
“Jam i sigurt në pafajësinë tonë në këtë çështje”.
Harry Maguire përfaqësohet nga njëri prej avokatëve më të mirë në Greqi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Kurse avokati i dy prej policëve që u dëmtuan nga goditjet fizike të futbollistit, tha se Harry Maguire nuk kishte guxim të pranonte fajin.
“Ai ka fyer oficerët tanë të policisë dhe bashkë me miqtë e tij plagosën 3 prej policëve”.
Një ditë pas sherrit në Mykonos, mediat angleze nxorrën variantin se Maguire ishte përleshur me një grup shqiptarësh. Sipas deklaratës së Harry Maguire, shqiptarët i kishin ngacmuar motrën. Por avokati i policëve grekë, Ioannis Paradissis, tha se kjo ishte një histori e turpshme dhe e sajuar nga futbollisti anglez dhe miqtë e tij, pasi asnjë teori e tillë nuk është e vërtetë.
“Maguire dhe shokët e tij trilluan një histori për shqiptarët që ngacmuan motrën e tij. Nuk kam dëgjuar kurrë gjëra kaq të ulëta. Kjo ishte përpjekje e turpshme për të mbuluar sjelljen e tyre të neveritshme dhe një fyrje për shqiptarët dhe për policinë greke”.
Avokati i policëve theksoi se Maguire u tregua frikacak dhe duhet të kërkojë falje për sjelljen e tij.
Futbollisti i “djajve të kuq” u arrestua disa ditë më parë pasi u përfshi në një sherr në Mykonos me një grup tjetër personash. Pas mbërritjes së policisë për të shuar konfliktin, Maguire dhe miqtë e tij ofenduan dhe sulmuan fizikisht edhe oficerët e policisë. Harry Maguire, vëllai dhe shoku i tij u shoqëruan në komisariat.
Por edhe në rajonin policor, të tre goditën fizikisht oficerët e policisë duke u shkaktuar dëmtime trupore. Më pas, futbollisti 28-vjeçar u ofroi para policëve për të mbyllur këtë histori, por u arrestua. Tashmë që u dënua nga gjykata greke, beteja ligjore do të vijojë në Gjykatën e Apelit. /tvklan.al