Gjykata hedh poshtë aktakuzën kundër Liburn Aliut
Gjykata Themelore në Prishtinë ka pushuar procedurën penale ndaj ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, i cili akuzohej për veprën penale “pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.
Vendimin për hedhjen e kësaj aktakuze e ka marrë gjykatësi Kushtrim Shyti, pasi që Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka hequr dorë nga kjo aktakuzë, e cila ishte ngritur rreth tre muaj më parë.
Kjo aktakuzë ishte ngritur për shkak se siç pretendonte prokuroria, Aliu në sallën e Kuvendit të Kosovës, më 21 mars 2018, kishte marrë nga tavolinat e deputetëve 40 kartela zyrtare që shërbejnë për votim.
Ish-deputeti Aliu, këto kartela i kishte marrë me qëllim që të pamundësohej votimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.
Në vendimin të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, rezulton se më 30 shtator 2019, prokurori Besart Mustafa i ka dorëzuar gjykatës njoftimin për tërheqjen nga kjo aktakuzë.
Aty thuhet se organi i akuzës ka analizuar provat, foto dokumentacionin, video-incizimin dhe provat tjera që gjenden në shkresat e lëndës ka ardhur në përfundim se në rastin konkret nuk është përdorur forca, përkatësisht dhuna, e as kanosja serioze.
Andaj, sipas këtij vendimi, thuhet se prokuroria ka ardhur në përfundim se nuk ekziston dyshimi i bazuar mirë se i akuzuari Aliu ka kryer veprën penale “pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”. Marrë parasysh tërheqjen e prokurorit nga ndjekja penale, gjykatësi Kushtrim Shyti ka konstatuar se nuk ka më objekt shqyrtimi në këtë çështje penale, duke pushuar këtë procedurë penale.
Sipas aktakuzës që e kishte siguruar “Betimi për Drejtësi”, Prokuroria Themelore në Prishtinë aktin akuzues ndaj Aliut e kishte ngritur më 26 korrik 2019. Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë, këtë aktakuzë e kishte pranuar më 30 korrik të këtij viti.
Sipas aktakuzës, thuhet se më 21 mars 2018, rreth orës 13:44, në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Liburn Aliu akuzohet se si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës i ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përkatësisht deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Prokuroria pretendon se derisa deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë qenë në pauzë, i akuzuari Liburn Aliu është futur në sallën e legjislativit dhe nga tavolinat e deputetëve ka marrë rreth 40 kartela zyrtare për votim, duke pamundësuar zhvillimin e suksesshëm të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës.