Gjykata ia refuzon kërkesën Ben Emmersonit, raporti i Fred Abrahams mbetet provë në gjykimin e krerëve të UÇK-së
Raporti i Human Rights Watch i hartuar nga Fred Abrahams do të mbetet si provë në gjykimin e krerëve të UÇK-së. Pavarësisht ankesës së avokatit të Kadri Veselit, Ben Emmerson, trupi gjykues ka vendosur që nuk ka bazë që ky raport të përjashtohet nga provat. Nacionale sjell detaje.
U konfimua nga vetë Fred Abrahams që në raportin e tij kishte përdorur të dhëna e informacione nga Qeveria e mediat e Serbisë. Por, pavarësisht kësaj publikimi i Human Rights Watch do të mbetet si prove në gjykimin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Trupi gjykues në Hagë e ka refuzuar kërkesën e avokatit Ben Emmerson që ky raport të përjashtohet nga provat e pranuara në procedure.
Në vendimin që e ka parë Nacionale, thuhet se nuk është krijuar asnjë situatë e jashtëzakonshme që do ta arsyetonte përjashtimin e raportit nga provat.
“Paneli thekson më tej se Mbrojtjes Veseli iu dha kohë e mjaftueshme për të marrë në pyetje dëshmitarin, duke përfshirë në lidhje me metodologjinë dhe burimet e përdorura nga HRW në përpilimin e P380. Mbrojtja e Veselit argumenton se fakte dhe rrethana të reja dolën gjatë marrjes në pyetje të tërthortë të W04408, të cilat përbënin rrethana të jashtëzakonshme që garantojnë rishqyrtimin e Vendimit të kundërshtuar për të shmangur një padrejtësi. Paneli nuk pajtohet. Asgjë e nxjerrë gjatë marrjes në pyetje të kryqëzuar nuk ka ndikuar në asnjë nga kërkesat e Rregullit 138(1) në lidhje me pranueshmërinë e këtij artikulli”, thuhet në vendimin e gjyqtarëve të Speciales.
“Paneli vëren se, përderisa bie në prerogativën e mbrojtjes që të kundërshtojë provat përmes marrjes në pyetje të tërthortë, pohimi i thjeshtë se besueshmëria e një prove të pranuar është minuar gjatë marrjes në pyetje të tërthortë nuk e plotëson pragun e Rregullës 79. Paneli prandaj nuk është bindur se provat e nxjerra nga W04408 nga Mbrojtja Veseli në mbështetje të qëndrimit të saj se P380 merret kryesisht nga burime dytësore, përbën një rrethanë të jashtëzakonshme që kërkon që Paneli të rishqyrtojë Vendimin e kundërshtuar për të shmangur dëmtimin e pariparueshëm ndaj të drejtave të z. Veseli për gjykim të drejtë”, thuhet më tutje.
Megjithatë, për rëndësinë e këtij raporti, trupi gjykues do të vendosë krejt në fund të gjykimit, kur vlerësohen të gjitha provat, raporton Nacionale.
“Ky artikull, si të tjerët, do t’i nënshtrohet vlerësimit të kujdesshëm të Panelit për peshën dhe vlerën e tij provuese në dritën e provave në tërësi. Për këto arsye, Paneli konkludon se Mbrojtja Veseli ka dështuar të dëshmojë se Paneli ka kryer një gabim të qartë të arsyetimit në pranimin e raportit ose, në dritën e marrjes në pyetje të tërthortë të W04408, është shkaktuar një padrejtësi që garanton rishqyrtimin e jashtëzakonshëm të Vendimit të kundërshtuar”, përfundon vendimi.
Kjo është vetëm një nga kërkesat e mbrojtjes që rrëzohen nga trupi gjykues, ashtu siç ka ndodhur me mbi 90% të të gjitha kërkesave deri më tash.
Por, cila ishte kërkesa e Emmersonit?
Raporti i hulumtuesit të Human Rights Watsh, Fred Abrahams, për vrasjet e pretenduara të civilëve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte pranuar si provë në gjykimin e krerëve të UÇK-së në Hagë. Megjithatë, pas dëshmisë së Abrahams fizikisht në sallën e gjyqit, mbrojtja e krerëve të UÇK-së po kërkon që kjo prove të përjashtohet nga procesi.
Sipas avokatit të Kadri Veselit, Ben Emmerson, për hartimin e këtij raporti që është si prove në gjykim, dëshmitari Abrahams e ka pranuar edhe vetë që ka përdorur raporte nga mediat serbe dhe komunikata nga Qeveria e Serbisë.
Në parashtrimin që e ka bërë Emmerson me përkrahjen edhe të avokatëve të tjerë të krerëve të UÇK-së, thuhet se i gjithë raporti është hartuar me burime dytësore e tretësore.
Sipas parashtrimit të Emmeron, vetë dëshmitari në përgjigjet e tij e konfirmon se raporti u mbështetë kryesisht në mediat e Beogradit.
“Veçanërisht, megjithatë, kur u përball me faktin se burimi i vetëm në të cilin FDH u mbështet për një pretendim që ishte ricikluar në P380 ishte “Media e Beogradit”, dëshmitari vërejti se ai nuk mund të fliste për FDH-në ose vendimet që ata morën në lidhje me burimet.39 Në të vërtetë, ky koncesion është pikërisht arsyeja pse Mbrojtja parashtron se kërkohej një vlerësim i pavarur i burimeve të tyre, pavarësisht se sa e itua ishte marrëdhënia profesionale midis dy organizatave ose individëve të përfshirë”, thuhet në kërkesën e Ben Emmerson.
Avokati i Kadri Veselit që e kishte marrë në pyetje për orë të tëra Abrahamsin, tregoi në detaje se shumica e këtij raporti ndërtohej pa intervista me dëshmitarët apo viktimat.
“Në total, P380 përmban 34 citate. Midis tyre, vetëm tre citate i referohen intervistave ose bisedave që ka kryer vetë personeli i HRW – asnjëri prej të cilëve nuk është viktimë apo dëshmitar i krimeve. Media – private dhe shtetërore – si dhe jo -Organizatat qeveritare përbëjnë shumicën dërrmuese, nëse jo të gjitha, të referencave të përfshira në P380. Veçanërisht, 11 referenca i janë bërë raportit të lartpërmendur të FDH Spotlight nga 5 gusht 1998, i cili, nga ana tjetër, citon burime të tjera dytësore, duke përfshirë vetë “FDH” dhe “Medien e Beogradit””, thuhet në këtë kërkesë të Emmerson.
Kërkesën e kishte kundërshtuar Prokuroria e Specializuar, e cila fitoi këtë betejë, pasi trupi gjykues i dha të drejtë, edhe kësaj radhe, Prokurorisë.