Gjykata izraelite miratoi ndalimin e përkohshëm të ‘Al Jazeeras’
Gjykata izraelite e ka mbështetur të mërkurën vendimin e qeverisë për një ndalim 35-ditor, për arsye të sigurisë kombëtare, të operimit të transmetuesit televiziv “Al Jazeera”.
Një ministër në qeverinë e Izraelit, ka thënë se shpreson që ndalimi të zgjatet edhe për 45 ditë të tjera, kur ai të mbarojë të shtunën.
Me vendim, gjykata e ka miratuar në mënyrë retroaktive një ndalim 35-ditor deri më 8 qershor.
Autoritetet izraelite bastisën një dhomë hoteli në Jerusalem, të përdorur si zyrë nga “Al Jazeera”, më 5 maj dhe kanë thënë se po mbyllnin operimin për kohëzgjatjen e luftës në Gazë, duke e akuzuar transmetuesin për inkurajimin e armiqësive kundër Izraelit.
“Al Jazeera” ka hedhur poshtë akuzat të cilat i ka quajtur “gënjeshtër e rrezikshme dhe qesharake” që rrezikonte gazetarët e saj.
Gjyqtari i Gjykatës së Qarkut të Tel Avivit, Shai Yaniv, ka thënë se atij i ishin ofruar prova, të cilat ai nuk i specifikoi, për një marrëdhënie të gjatë dhe të ngushtë midis Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – dhe transmetuesit “Al Jazeera” të mbështetur nga Katari, duke akuzuar kanalin për promovimin e qëllimeve të grupit radikal.
“Liria e shprehjes ka një rëndësi të veçantë në kohë lufte. Megjithatë, kur ka dëm të konsiderueshëm për sigurinë e shtetit, konsiderata e fundit është e para”, ka thënë ai.
“Al Jazeera”, e cila ka kritikuar operacionet ushtarake të Izraelit në Gazë, nga ku ka raportuar gjatë gjithë luftës, i tha gjykatës se nuk ka nxitur dhunë apo terrorizëm dhe se ndalimi ishte joproporcional, sipas dokumenteve të gjykatës.
Lidhur me pretendimet për lidhje me Hamasin, ajo tha se gazetarët e saj kishin burime konfidenciale si në palën izraelite ashtu edhe në atë palestineze.
Hamasi e sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 250 të tjerë.
Pas këtij sulmi nisi lufta në Rripin e Gazës – të kontrolluar nga Hamasi, raporton “Rel”.
Dhjetëra pengje të marra prej këtij grupi, u liruan gjatë një armëpushimi në nëntor, ndërsa disa të tjera u gjetën – të vdekura ose të gjalla – nga trupat izraelite.
“Al Jazeera” është një prej mediave të pakta ndërkombëtare që raportojnë nga Gaza që nga nisja e luftës.
Programet në gjuhën arabe të kësaj media shpesh publikojnë edhe deklarata nga Hamasi dhe nga grupe të tjera militante në rajon.
Transmetuesi ka akuzuar Izraelin për vrasjen e qëllimshme të disa gazetarëve të tij në Gazë.
Izraeli ka thënë se nuk synon gazetarët. Ofruesit izraelitë satelitor dhe kabllor kanë pezulluar transmetimet e “Al Jazeera” pas udhëzimit të qeverisë, më 5 majit.
Ministri për Komunikim, ka thënë të mërkurën se synonte të zgjaste ndalimin edhe për 45 ditë të tjera.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut dhe Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar mbylljen e operimit të “Al Jazeera”-s në Izrael.