Gjykata Komerciale, “në hall” me konkursin për gjyqtarët serbë
Prej disa muajsh, Gjykata Komerciale është në kërkim të gjyqtarëve të rinj, që vijnë nga radhët e minoriteteve.
Të gjitha konkurset e brendshme të hapura deri më tani, kanë dështuar.
Kryetari i Gjykatës, Mahir Tutuli, ka drojën se fatin e njëjtë do ta ketë edhe konkursi i ri i hapur nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
“Përkundër që janë hap disa konkurse, katër konkurse nëse nuk gaboj kanë qenë gjithsej, në asnjërën prej konkurseve nuk ka aplikuar asnjë kandidat, qoftë i përkatësisë serbe, qoftë nga minoritetet tjera dhe ato vende mbeten të rezervuara, nuk janë plotësuar ende”, ka deklaruar Mahir Tutuli – Kryetar i Gjykatës Komerciale.
Për këtë refuzim, Tutuli e ka një shpjegim.
“Fusha komerciale është fushë specifike. Ekspertiza në këtë fushë është deficitare jo vetëm tek komunitetet, por edhe tek gjyqtarët e përkatësisë shqiptare. Pra është fushë specifike për të cilën duhet një specifikë e veçantë. Zakonisht gjyqtarët që janë të akomoduar në sektorët tjerë, e njohin punën e tyre, është problematike që të riorientohen”, vijon ai.
Sipas ligjit, Gjykata është e detyruar që t’i përmbushë disa vende me gjyqtarë serbë.
Përkundër mungesës së tyre, kryetari Tutuli thotë se puna zhvillohet pa ndonjë problem për të gjitha komunitetet.
“Gjykata Komerciale trajton çështje ndërmjet personave juridik, respektivisht bizneseve. Bizneset nuk kanë përkatësi etnike dhe nuk mund të bëhet ndarje e tillë si në gjykatat e tjera, ku varësisht prej përkatësisë etnike me marrëveshje të veçanta është përcaktu që kompetente do të jenë gjykatat apo divizionet që janë formu për ato çështje”, ka përfunduar Tutuli.
Që nga nëntori i vitit të kaluar, kur në mënyrë të organizuar serbët u larguan nga institucionet, gjykatat në Kosovë janë ballafaquar me mungesë të gjyqtarëve serbë.