Gjykata Komerciale shihet si “shpëtim” për bizneset
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka organizuar konferencën vjetore të drejtësisë komerciale “Drejtësia dhe Biznesi”, e cila shtjellon njohuritë për reformat ligjore dhe mekanizmat e zgjidhjes së kontesteve tregtare. Në këtë konferencë është thënë se një proces gjyqësor i drejtë është i rëndësishëm jo vetëm për tërheqjen e investimeve, por edhe për rritjen e përgjithshme ekonomike. Derisa me këtë reformë synohet të zhvillohet edhe më tej sistemi gjyqësor, e në këtë drejtim edhe të lehtësohen sfidat e bizneseve.
Kryetari i OEAK-ut, Arian Zeka, ka thënë se një proces gjyqësor i drejtë dhe efikas është i rëndësishëm edhe për tërheqjen e investimeve të huaja.
Zeka ka thënë se të bërit biznes në Kosovë ka sfida, por që me themelimin e Gjykatës Komerciale ka shpresë që këto vështirësi për bizneset të lehtësohen. “Jemi për të dëshmuar përkushtimin e përbashkët dhe përforcimin e sistemit të drejtësisë komerciale të Kosovës i cili është thelbësor për një mjedis biznesi elastik i cili e mundëson lulëzimin e bizneseve. Një proces gjyqësor i drejt efikas dhe transparent është i rëndësishëm jo vetëm për tërheqjen e investimeve po dhe në ndërtimin e besimit në sistemin e përgjithshëm në sistemin e përgjithshëm e padyshim edhe për rritjen e gjithmbarshme ekonomike të vendit ashtu që Kosova të mund të jetë konkurruese në skenën rajonale e ndërkombëtare. Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka kryer me anëtarët e saj një anketë që të raportohet si një gjykatë efektive dhe efikase në kryerjen e punëve të saj edhe pse gjithmonë ka hapësirën për përmirësim”, ka thënë Zeka.
Ndërsa zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se si ekzekutiv kanë shprehur gatishmëri në vazhdimësi që t’i ndihmojmë bizneset për t’ua bërë sa më të lehtë punën dhe operimin e tyre.