
Gjykata Komerciale vendos që të rifillojnë punimet në ‘Rrugën A’
Gjykata Komerciale ka vendosur që të rifillojnë punimet për ndërtimin e “Rrugës A” në Prishtinë.
Rreth tre muaj pas pezullimit për ndërtimin e kësaj rruge, Gjykata Komerciale ka vendosur që të rifillojnë punimet pasi Dhoma e Shkallës së Dytë e ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë të gjykatës.
Në këtë vendim është thënë se janë aprovuar ankesat e Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe palëve të tjera e që janë Komuna e Prishtinës dhe operatori ekonomik “Sallahu”.
“Duke i marrë parasysh pretendimet ankimore, Dhomat e Shkallës së Dytë vlerësojnë se me rastin e shtyrjes së ekzekutimit të vendimit, gjykata shqyrton dhe kufizohet vetëm në kushtet ligjore nga Neni 22 par.2 i Ligjit për Konfliktet Administrative, të cilat duhet të plotësohen në mënyrë kumulative në mënyrë të që shtyhet ekzekutimi i aktit administrative”.
“Kolegji ka vlerësuar se Gjykata e Shkallës së Parë nuk ka arritur të jep arsye bindëse për faktet vendimtare të cilat ndikojnë në zbatimin e drejtë të dispozitës së Nenit 22 par.2 të LKA-së, duke mos balancuar drejtë kërkesën e palëve në raport me kriteret ligjore”.
“Bazuar në vlerësimin e Kolegjit, Gjykata e Shkallës së Parë nuk ka arritur që të përcaktojë drejtë interesin publik, i cili në rastin konkret është i kufizuar në interesin për të vazhduar ose jo projektin që është objekt i procedurës së prokurimit, në raport me kërkesat e paditësit”, është thënë në aktvendim. /Paparaci