Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë të mërkurën do ta shqyrtojë iniciativën për Ligjin për Amnisti
Gjykata Kushtetuese të mërkurën në seancë do ta shqyrtojë iniciativën për kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e nenit 1 dhe nenit 2 të Ligjit për Amnisti.
Me iniciativën kërkohet që të shqyrtohet kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e këtyre dy neneve të Ligjit për Amnisti në bazë të të cilit ishin amnistuar persona të përfshirë në dhunën në Kuvend të 27 prillit të vitit 2017.
Në mesin e të amnistuarve për “të enjten e përgjakur” ishin edhe pesë deputetë Kërsto Mukoski, Sasho Vasilevski, Johan Tarçullovski, Lupço Dimovski dhe Luben Arnaudov, të cilët ishin të akuzuar se i kishin hapur dyert dhe i kishin dërguar personat me maska dhe qytetarët tjerë drejtë sallës plenare dhe drejtë pres-qendrës në Kuvend më 27 prill.
Në mesin e të amnistuarve ishin edhe udhëheqësit e protestave të “Për Maqedoni të përbashkët”, Bogdan Ilievski, Vllado Jovanovski dhe Boris Damovski, të cilët ishin akuzuar se me fjalimet e tyre iu kishin bërë thirrje qytetarëve që të hynë në shtëpinë ligjvënëse.
Gjykata në Shkup shqiptoi dënim në kohëzgjatje prej gjithsej 211 vite për 16 të akuzuarit për sulmin në Kuvend më 27 prill të vitit 2017 për rrezikim të rendit kushtetues dhe sigurisë. Dënim më të lartë prej 18 viteve mori ish drejtori i Byrosë për Siguri Publike Mitko Çavkov, ndërsa të tjerët morën nga tetë deri në 15 vite burg. I lirë për “27 prillin” u shpall këngëtari i operës Igor Durllovski.
Gjykata Kushtetuese javën e kaluar ngriti procedurë për nenin 11-a të Ligjit për plotësim të Ligjit për Falje nga viti 2006, me çka shkaktoi reagime të mëdha në opinion.
Përfaqësuesit shtetërorë dhe ekspertët juridikë vlerësojnë se vendimi eventual i Gjykatës Kushtetuese për heqjen e nenit 11-a të Ligjit mund të shkaktojë shkatërrim të shtetit juridik, në parimin e sundimit të së drejtës dhe sulm të drejtpërdrejtë të demokracisë.
Pas kësaj procedure të Gjykatës Kushtetuese, ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska e thirri Kuvendin, ndërsa grupi parlamentar i LSDM-së ngriti kërkesë për interpretim autentik të nenit 11 të Ligjit për Falje, i cili ka të bëjë me të drejtën e presidentit të shtetit që të japë falje pa leje dhe mendime nga komisioni i veçantë.
Plotësimin e nenit 11, me paragraf 11-a, e bëri përbërja paraprake kuvendore kur shumicën në Parlament e kishte koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE-ja.
Presidenti Gjorge Ivanov solli vendim për falje për pesëdhjetë persona në vitin 2016, por pas protestave dhe reagimeve nga bashkësia ndërkombëtare e tërhoqi vendimin.
Sipas ministres Deskoska dhe ekspertëve juridikë, vendimin të cilin Ivanovi e solli atëherë nuk ishte ligjor, sepse ai nen i Ligjit në të cilin ishte thirr ish presidenti tashmë nuk ekzistonte, me çka nuk duhet të vlejnë faljet të cilat tani Gjykata Kushtetuese përmes shfuqizimit të nenit do t’i aktivizonte përsëri.