Gjykata Kushtetuese e Speciales refuzon ankesën e Pjetër Shalës
Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese ka refuzuar ankesën e Pjetër Shalës, i cili pretendonte shkelje të të drejtave të tij themelore, duke e kundërshtuar juridiksionin e kësaj dhome.
Paneli i përbërë nga gjykatësit Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Romina Inkuti, ka konstatuar se ky referim është i parakohshëm, ndaj edhe e shpalli të papranueshëm në bazë të nenit 113 (7) të Kushtetutës, nenit 49 (3) të Ligjit dhe rregullës 14 (f) të Rregullores së Punës të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese.
Pjetër Shala, vitin e kaluar, më 16 mars 2021 është arrestuar në Belgjikë dhe më 15 prill të atij viti ishte transferuar në Hagë.
Shala ngarkohet me akuza për krime lufte si trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.