Gjykata Kushtetuese hedh poshtë kërkesën e Vetëvendosjes për demarkacionin
Gjykata Kushtetuese duke iu përgjigjur kërkesës së shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca dhe 11 deputetëve të tjerë, ka gjetur se ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi nuk është në kundërshtim me Kushtetutës e Republikës së Kosovës.
“Gjykata konstatoi njëzëri se Ligji nr. 06/L-060 për ratifikimin e marrëveshjes dhe procedura për miratimin e tij nuk ishin në kundërshtim me Kushtetutën. Gjykata gjithashtu njëzëri refuzoi kërkesën e parashtruesve për të vlerësuar Marrëveshjen ndërkombëtare për demarkacionin e kufirit shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi pasi që nuk është ‘ratione materiae’ në pajtim me Kushtetutën dhe kështu jashtë fushëveprimit të juridiksionit të Gjykatës”, është thënë në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Parashtruesit e kërkesës e kanë dorëzuar kërkesën në Gjykatë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 06/L-060 për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Ata kanë pretenduar se procedura e ndjekur për miratim si dhe përmbajtja e Ligjit për ratifikimin e demarkacionit, janë në kundërshtim me nenet 1 [Përkufizimi i Shtetit], 2 [Sovraniteti], 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], 18 [Ratifikimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare], 125 [Parimet e Përgjithshme], 126 [Forca e Sigurisë e Kosovës], 127 [Këshilli i Sigurisë i Kosovës], 128 [Policia e Kosovës] dhe 129 [Agjencia e Kosovës për Inteligjencë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Ndërsa Gjykata Kushtetuese e ka deklaruar kërkesën të pranueshme për shkak se parashtruesit ishin palë të autorizuara sipas nenit 113.5 të Kushtetutës, e kishin dorëzuar kërkesën brenda afatit prej 8 (tetë) ditësh siç kërkohet me nenin 113.5 të Kushtetutës, dhe kishin respektuar kriteret e parapara me nenin 42 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.