Gjykata Kushtetuese mund të mbetet jashtë funksionit në fund të këtij viti, dy gjyqtare përfundojnë mandatin
Në fund të këtij viti Gjykata Kushtetuese mund të mbetet jashtë funksionit duke mos mundur ta ushtroj kompetencat dhe përgjegjësit e saj, pasi e njëjta do të mbetet pa kurom meqë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka – Nimani dhe gjykatësja Selvete Gërxhaliu – Krasniqi përfundojnë mandatin e tyre më 30 dhjetor 2024.
Sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese ka kuorum nëse janë të pranishëm shtatë gjyqtarë.
Prandaj, nëse deri me këtë datë Kuvendi nuk propozon gjyqtarët e rinj për dekretim te Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Gjykata Kushtetuese do të mbetet pa kuorum.
Puna e autoritet përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës mund të pezullohet deri në një afat të pacaktuar marrë parasysh faktin se në vitin 2022 kanë dështuar plotë 4 procese për plotësimin e pozitave të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese, raporton Betimi për Drejtësi.
Por, çfarë mund të ndodhë nëse Kushtetuesja mbetet pa kuorum?
Në një situatë të tillë nuk do të funksionojë institucioni kryesor për mbrojtjen e Kushtetutës dhe të drejtave dhe lirive të qytetarëve, pasi ky mekanizëm nuk do të mund të trajtojë kërkesat e parashtruara.
Të gjithë qytetarët, rastet e të cilave janë duke u trajtuar apo do të deponohen në ndërkohë, nuk do të kenë qasje në këtë Gjykatë.
Në anën tjetër, të gjitha projektligjet që kontestohen nga 10 apo më shumë deputetë, para se të njëjtat të dërgohen për dekretim tek Presidentja, do të mbesin të pezulluara.
Nëse Kuvendi përfundon mandatin e rregullt, zgjedhjet parlamentare më së voni duhet të mbahen më 16 shkurt 2025.
Mos dekretimi i gjyqtarëve të rinj do të bëjë që Gjykata Kushtetuese do të jetë jofunksionale gjatë mbajtjes së zgjedhjeve, konstituimit të Kuvendit, zgjedhjes së Qeverisë.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës në shumë raste të ndryshme ishte ankuar që partitë opozitare po dërgojnë në Kushtetuese ligjet që po përpilohen nga ky ekzekutiv.
Ndonëse një mori ligjesh të hartuara nga Qeveria aktuale u kontestuan nga Kushtetuesja, ekzekutivi me ngulm ka kritikuar partitë opozitare për pengim të reformave me dërgimin e ligjeve në Kushtetuese.