Gjykata Kushtetuese refuzon kërkesën e Thaçit për KQZ-në

03 dhjetor 2018 | 16:15

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka bërë me dije se ka refuzuar kërkesën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në lidhje me çështjen e emërimit të anëtarëve të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

“Gjykata gjeti se çështjet e ngritura nga parashtruesi para Gjykatës nuk hyjnë në fushëveprimin e juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113. Rrjedhimisht, në pajtim me nenin 113, paragrafi 1, të Kushtetutës, Gjykata përfundoi se kërkesa është e papranueshme”, është thënë në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:

Aktvendim

Kërkesë për interpretim të nenit 139, paragrafi 4, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KO 79/18

Përmbledhje

KO79/18, parashtrues: Presidenti i Republikës së Kosovës, Kërkesë për interpretim të nenit 139, paragrafi 4, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës

KO79/18, Aktvendim i miratuar më 21 nëntor 2018, publikuar më 03.12.2018.

Fjalët kyç: kërkesë institucionale, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, grupet parlamentare, çështje kushtetuese, juridiksioni i Gjykatës.

Parashtruesi i kërkesës kërkoi nga Gjykata Kushtetuese interpretimin e nenit 139 [Komisioni Qendror i Zgjedhjeve], paragrafi 4, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke shtruar pyetjet në vijim: nga cilat grupet parlamentare duhet të emërohen anëtarët e KQZ-së: a) nga grupet parlamentare që kanë dalë nga subjektet politike që i kanë fituar zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës?; apo b) nga grupet parlamentare që krijohen pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës?”.

Gjykata fillimisht vlerësoi nëse kërkesa e parashtruar i plotëson kushtet e pranueshmërisë, sikurse që janë përcaktuar me Kushtetutë dhe që janë saktësuar më tej në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe në Rregulloren e punës së Gjykatës.

Parashtruesi, kërkesën e tij për interpretim të nenit 139 (4) të Kushtetutës, e kishte mbështetur në nenin 84 (9), si dhe në nenin 112, paragrafi 1, të Kushtetutës. Në lidhje me këtë, Gjykata sqaroi se Gjykata Kushtetuese, sipas nenit 113, paragrafi 1, të Kushtetutës ka juridiksion të vendosë vetëm për rastet e ngritura para saj në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar. Në këtë kuptim, Gjykata është autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, sipas nenit 112, paragrafi 1, të Kushtetutës, në lidhje me rastet e ngritura para saj sikurse përcaktohet me nenin 113. Gjykata theksoi se ajo nuk merret me interpretime për çështje që lidhen me veprime ose me mosveprime juridike të institucioneve kushtetuese për të cilat nuk është e autorizuar sipas nenit 113 të Kushtetutës. Prandaj, neni 112, paragrafi 1, i Kushtetutës nuk mund të interpretohet jashtë kontekstit të nenit 113 të Kushtetutës. Në lidhje me kuptimin dhe me kufijtë e nenit 84 (9) të Kushtetutës, Gjykata theksoi se kërkesat e parashtruara mbi këtë bazë mund të jenë të pranueshme vetëm brenda juridiksionit të rregullt të Gjykatës, të përcaktuar shprehimisht dhe qartë në nenin 113, paragrafët 2 dhe 3.

Gjykata më tej sqaroi se në praktikën e saj të mëparshme gjyqësore, duke aplikuar kuptimin e zgjeruar të nocionit “çështje kushtetuese’’, kishte shqyrtuar kërkesa që nuk përfshiheshin shprehimisht në kufijtë e juridiksionit të saj të përcaktuar me nenin 113, paragrafët 2 dhe 3, të Kushtetutës. Për më tepër, në praktikën e saj, Gjykata kishte theksuar se është në diskrecionin e saj të vendosë nëse çështja e ngritur është një “çështje kushtetuese” dhe për këtë të vendosë nga rasti në rast. Gjykata, në fakt, kishte vlerësuar se jo çdo çështje që parashtruesi i kërkesës pretendon të ngrejë çështje kushtetuese mund të jetë për se çështje e tillë.

Gjykata sqaroi më tej se, praktika e mëhershme e Gjykatës në lidhje me trajtimin e kërkesave të parashtruara në kuptimin e gjerë të nocionit “çështje kushtetuese’’, duhet kuptuar në frymën e procesit të vendosjes së themeleve të gjyqësisë kushtetuese, si dhe të nevojës shoqërore që Gjykata në fillesat e saj të përfshihet në interpretime të neneve specifike të Kushtetutës, sidomos kur çështjet e parashtruara janë ndërlidhur me ushtrimin e kompetencave të Presidentit të përcaktuara me Kushtetutë; kur çështjet e ngritura kanë ndikuar në ndarjen e pushteteve, në ruajtjen e rendit kushtetues, si dhe kur çështjet e ngritura kishin implikime thelbësore në funksionimin e sistemit kushtetues të vendit.

Megjithatë, Gjykata ritheksoi se përmbajtja e dispozitës së nenit 113 të Kushtetutës, marrë në tërësinë e saj, është e qartë dhe konkrete për sa u përket kompetencave të Presidentit që dalin nga konteksti i palës së autorizuar para Gjykatës Kushtetuese. Rrjedhimisht, rezulton që neni 113 paraqet bazën themelore juridiksionale të Gjykatës në lidhje me autorizimet e Presidentit si palë e autorizuar para Gjykatës Kushtetuese.

Andaj, Gjykata gjeti se çështjet e ngritura nga parashtruesi para Gjykatës nuk hyjnë në fushëveprimin e juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113. Rrjedhimisht, në pajtim me nenin 113, paragrafi 1, të Kushtetutës, Gjykata përfundoi se kërkesa është e papranueshme.

Parashtruesit:
Presidenti i Republikës së Kosovës

Lloji i kërkesës:
KO – Kërkesë nga organet shtetërore

Lloji i aktit:
Aktvendim

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera:
Tjetër

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është hedhur shorti për ndeshjet gjysmëfinale të Ligës A të…