Gjykata Kushtetuese rrëzoi dy presidentë, e la PDK-në pa kryeministër që 6 vjet…
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka konsideruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese “të padrejtë”, ndërkohë që ka thënë se nuk do ta pranojë. E aktivistët dhe simpatizantët e partisë së tij kanë linçuar gjyqtarët e këtij institucioni. Por, a ishte politike në vendimet e saj Gjykata Kushtetuese?
Kryeministri në detyrë, Kurti, mund ta çojë lëndën edhe në Komisionin e Venecias për të marrë një opinion mbi rastin që ai e konsideron si “vjedhje të votave të popullit”. Por, megjithatë, e kaluara e Gjykatës Kushtetuese e përgënjeshtron Kurtin dhe aktivistët e partisë së tij.
Kurti ka prapa vetëm 26,27 për qind të më pak se 50 për qind të qytetarëve të Kosovës që morën pjesë dhe votuan në zgjedhjet e 6 tetorit. Por, kjo nuk e ndalon atë që ta rrënojë besueshmërinë edhe të një institucioni tjetër, përcjell Periskopi.
Ky institucion kishte rrëzuar presidentin e parë të Kosovës së pas-pavarësisë, Fatmir Sejdiun, pasi ky i fundit po ushtronte njëkohshëm edhe detyrën e kryetarit të një partie, LDK-së. Sejdiu e kishte pranuar vendimin e Gjykatës dhe kishte dhënë dorëheqje. Kjo dorëheqje i kishte shkaktuar atij praktikisht humbjen edhe të LDK-së dhe margjinalizimin nga politika.
Një tjetër vendim i Gjykatës Kushtetuese e rrëzoi një tjetër president të zgjedhur, Behgjet Pacollin. Madje Pacolli nuk kishte bërë asgjë në shpërputhje me Kushtetuesen, por pas vetëm rreth 1 muaji Gjykata Kushtetuese nxori vendimin që thoshte se Kuvendi e kishte zgjedhur Pacollin president në formë anti-kushtetuese pasi nuk kishte respektuar procedurat e parapara.
Më pas kishim aktgjykimin e korrikut të vitit 2014, i cili efektivisht ia pamundësoi partisë së parë që të kishte të drejtën ekskluzive për ta formuar qeverinë e vendit ashtu siç kishte shpresuar PDK-ja.
Kjo bëri që PDK-ja, edhe pse kishte dalë e para në zgjedhjet e qershorit të vitit 2014, nuk do ta merrte pozitën më të rëndësishme në qeveri – atë të kryeministrit. Kjo pozitë do t’i takonte Isa Mustafës.
Në fakt, ky vendim i Kushtetueses do t’ia pamundësonte PDK-së që ta merrte pozitën e kryeministrit prej vitit 2014 e këndej, duke qenë se edhe në vitin 2017 iu desh të formonte një koalicion parazgjedhor me AAK-në dhe Nismën, duke i dhënë kryetarit të Aleancës, Ramush Haradinajt.
Ndërkohë që një tjetër vendim ishte edhe ai për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe që i takonte një marrëveshjeje të nënshkruar nga Isa Mustafa si kryeministër i Kosovës.
Kushtetuta gjeti se e ashtuquajtura “Zajednicë” nuk përputhej me Kushtetutën e Kosovës në 22 pika të saj. Një vendim i tillë pamundësoi realizimin e marrëveshjes dhe formimin e saj.
Marrë parasysh këto, por edhe vendimet e tjera të saj, është e zorshme të kuptohet se si mund t’i mohohet kredibiliteti këtij institucioni pa pasur asnjë provë të vetme që do ta rrënonte atë.