Gjykata Kushtetuese vendos që Prishtina të mos shkojë në zgjedhje
Gjykata Kushtetuese ka vendosur që në Prishtinë të mos përsëritet balotazhi në mes të Shpend Ahmetit dhe Arban Abrashit.
Rrjedhimisht, pas vendimit që pritet të dalë shumë shpejt, ish-kandidati i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, do të vazhdojë mandatin e tij të dytë si kryetar i Prishtinës.
Për më shumë se një vjet, Shpend Ahmeti qeveris me Prishtinën, pa iu konfirmuar në të gjitha instancat fitorja e mandatit të dytë.
Gjatë kësaj periudhe, Gjykata Kushtetuese po shqyrtonte nëse pati shkelje gjatë balotazhit që e nxori fitues Ahmetin, që atëherë garonte nën shenjën e VV-së.
“Gazeta Express” ka marrë vesh nga burimet e saj se tashmë Gjykata Kushtetuese ka vendosur që në Prishtinë të mos përsëritet gara për kryetar.
Pak ditë më parë “Express” ka raportuar se Kushtetuesja do të dalë brenda kësaj jave me vendim për Prishtinën.
Zëdhënësi i Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula, po ashtu ka konfirmuar se është në fazën përfundimtare të shqyrtimit të lëndës për balotazhin që u mbajt në dhjetor të 2017-s.
“Lënda rreth zgjedhjeve në Prishtinë mund të them se është në fazën përfundimtare, ndërsa të tjerat janë akoma në fazat shqyrtuese”, ka thënë të martën Dula.
Megjithatë, vendimi do të dalë këto ditë, ndërsa me konstatim të Kushtetueses Arban Abrashit të LDK-së i shuhen shpresat që t’ia ndërpresë mandatin e dytë në gjysmë Shpend Ahmetit.
Abrashi e kishte denoncuar fitoren në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se ka pasur parregullsi që e kanë ndihmuar ish-kandidatit të Vetëvendosjes të zgjidhet kryetar i Prishtinës me 365 vota epërsi.
Për më shumë se një vit kur është pritur që Kushtetuesja të dalë me një konstatim, ish-kandidati i LDK-së, tash deputet, është shprehur i bindur se kryeqyteti do të shkojë së shpejti në zgjedhje.
Madje, ai është deklaruar për një rekomandim që, sipas tij, ia ka bërë Këshilli i Venecias, Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, ka pasur shkelje gjatë zgjedhjeve.
Mirëpo, këtë e kishte demantuar menjëherë Gjykata, duke thënë se nuk ka marrë asnjë rekomandim nga një institucion ndërkombëtar rreth çështjes në fjalë.