Gjykata merr vendim për grupin e fajdexhive të Pejës
Katër të arrestuarit që po dyshohen për “Fajde, Detyrim dhe Rrëmbim” kanë dal para Gjykatës. Atyre siç merr vesh i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Sipas dosjes që ka parë Insajderi provat ndaj tyre u grumbulluan duke i përgjuar bisedat e tyre private.
Në arsyetimin e Gjykatës për caktimin e masës së paraburgimi thuhet se ekziston mundësia që të largohen jashtë vendit.
Valbona Pakashtica dhe Irfan Pakashtica, dyshohet se kishin plane për të ikur jashtë vendit.
Në dosje thuhet se ata kanë dashur ta shesin pasurinë e tyre, madje Irfani që një kohë ka jetuar në Poloni dhe Francë.
“Se është përmbushur kushti nga neni 184 par. I nën par. 1 .2 pika 1.2.1 te KPPRK-së, për rrethanat e rrezikut të ikjes, Giykata pasi vlerësoi shkresat e lendës, konsideron se në rastin konkret përmbushet kushti i rrezikut të ikjes, pasi që nga provat e bashkëngjitura në shkresat e lendës si rezultat i zhvillimit të betimeve përmes masave të veçanta betimore flitet për plane që konsistojnë në largimin konkretisht të pandehurve Valbona dhe Irfan të cilët perveç se planifikojnë që të largohen nga Republika e Kosoves, ata bëjnë plane edhe që ta shesin pasurinë dhe te shpërngulen jashtë, Po ashtu, edhe i pandehuri Idriz për një kohë ka jetuar jashtë Republikës së Kosovës dhe atë në Poloni dhe Francë, e kjo nuk e përjashton mundësinë e ikjes”, thuhet ndër të tjerash në vendim.
Si e pësoi viktima?
Në bisedat mes tyre të dyshuarit kanë pranuar se kanë rrëmbyer një person.
“Raporti 15 ditor për periudhën 01.02. 2024 deri me 15,02.2024 në të cilin nder të tjera ceket se të pandehurit Pakashtica kanë angazhuar të pandehurin Idriz që përmes forcës me i detyru Y. S. D me të jap 240,000 euro ndërsa keta do ta paguanin 40.000 euro të pandehurin Idriz”, thuhet aty.
Në dosje thuhet se të dyshuarit Anes Pakashtica dhe Idriz Hajziri nga të dëmtuarit kanë kërkuar 24o mijë euro edhe pse investimi ishte 120 mijë euro.
Ata këto të holla i kërkuan duke i kërcënuar viktimat se do i gjuajnë me bombë.
“Takimi i dates 20.06.2024 në mes të viktimave me të pandehurin Anes Pakashtica dhe Idriz Hajrizi ku ndër të tjera i pandehuri e pranon se investimi i tyre është 120.000, mirëpo nga të dëmtuarit kërkon që t’ia paguaj 240.000 në të kundërtën do të ju gjuaj bombe në shtëpi dhe i kërcënon në mënyra të ndryshme“, thuhet në dosje.
Të dyshuarit e kanë përcjell vazhdimisht viktimën më pas e kanë rrëmbyer. Për të kryer këtë vepër ata angazhuan “Ragip Dajën”, person i cili po identifikohet nga policia.
“Y. D deklaron se si është rrëmbyer nga personi Ragip Daja dhe si të pandehurit Anes, Valbona dhe Irfan Pakashtica janë duke e detyruar që për shumén 120.000 euro t’u paguaj shumën 240.000 euro“, shkruhet aty.
Ndërsa Y.D që është viktimë në këtë rast ka tentuar ta vras vetën për shkak të presionit. Ai kishte pirë barna.
“Viktima është shtrirë në spital për shkak të konsumimit të tepërt të barnave nga presoni që kishte pasur nga te pandehurit“, thuhet në dosje.
Por, as në spital nuk e lanë të qetë. Të dyshuarit kishin angazhuar një person (punëtor në spital) që i jepte informata për gjendjen e tij.
“Po ashtu për të pandehurin Idriz do të identifikohet kush është daja i tij i cili punon ne spital dhe i ka dërguar informata për gjendjen e të dëmtuarit dhe ne këtë menyrë do të analizohet edhe vepra penale e keqpërdorimit të detyrës apo autontetit zyrtar“, theksohet në dosje.
Këtë rast e ka hetuar policia nën udhëheqjen e Prokurorit Ersan Qavolli.