Gjykata merr vendim për katër zyrtarët e Telekomit
11 mars 2022
| 10:05
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji për katër zyrtarët e Telekomit të Kosovës, K.J., F.J., M.P. dhe Sh.Sh., të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi nga gjykata e lartpërmendur, ku thuhet se është refuzuar si e pabazuar kërkesa e prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas njoftimit, masa e arrestit shtëpiak kundër të pandehurve do të llogaritet deri më 9 prill 2022.
Në fund, bëhet e ditur se kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.