Gjykata merr vendim për policin që dyshohet se u korruptua me 1 mijë euro
Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar dje zyrtarin policor, Tush Gjini, pasi i njëjti dyshohet për veprat penale keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.
Përpos tij, është arrestuar edhe qytetari që dyshohet për dhënie ryshfeti, raporton Gazeta Sinjali.
Një ditë pas arrestimit, Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj policit Tush Gjini dhe qytetarit Basri Kryeziut të dyshuar për veprat penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare” dhe “dhënia e ryshfetit”.
Përmes një njoftimi, gjykata në arsyetimin e masës së paraburgimit thotë se ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale.
“Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurve T.Gj. dhe B.K., për shkak të dyshimit të bazuar se T.Gj., ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe B.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer vepër penale, ”Dhënia e ryshfetit’’”, thuhet në njoftim.
Tush Gjini, polic në Gjakovë dyshohet se është korruptuar me 1000 euro kesh, për të plotësuar dy vendime për kundërvajtje (fiktive), njëra me vlerë prej 500 euro, me 3 pikë negative dhe masë mbrojtëse prej 1 viti dhe tjetra në vlerë prej 200 euro duke përdorur të dhënat e pa sakta të qytetarëve.
“Gjyqtari i procedurës paraprake Sulltan Dobraj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ashtu që me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale, rreziku i ikjes dhe ndikimi në dëshmitarë”.
“Të pandehurit do të mbahen në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të iu llogaritet prej kohës së arrestimit, me 23 shkurt 2024 dhe do të zgjasë deri më 23 mars 2024, përkatësisht 24 shkurt 2024 dhe do të zgjasë deri me 24 mars 2024”.