Gjykata në Lubjanë përgënjeshtron gazetarin slloven në rastin e Berishajt
Gjykata e Qarkut në Lubjanë ka bërë me dije se padia e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ndaj kryeredaktorit të “Planet TV”, Mirko Mayer, nuk është mbyllur ende ligjërisht.
Lajmin për “Klankosova.tv” e ka konfirmuar zëdhënësja e gjykatës, Anja Slak.
“Lidhur me pyetjen që ju i keni drejtuar Gjykatës së Qarkut në Lubjanë, 24/02/2023, lënda II K 45570/2022, ju përgjigjemi se lënda ende nuk është mbyllur ligjërisht”, është shprehur Slak.
Ndërsa dje kryeredaktori i “Planet TV”, Mirko Mayer, përmes një postimi në “Twitter”, ka thënë se gjykata në Slloveni në rastin e hapur nga Berishaj është refuzuar në shkallën e dytë.
“Kam dëgjuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një deklaratë dhe ka shprehur dëshirën që drejtësia do të thotë fjalën e saj në rastin e Berishajt kundër ‘Planet TV’. E njoftoj se kjo dëshirë i është plotësuar dhe drejtësia tashmë ka vendosur. Rasti i hapur nga Berishaj është refuzuar nga gjykatë në shkallën e dytë”, ka shkruar Mayer.
Gjykata në Slloveni vendos edhe në shkallën e dytë: Lajmet për Martin Berishajn nuk ishin shpifje