Gjykata në Minsk dënon me 15 vjet burgim lideren opozitare
Një gjykatë në Minsk ka dënuar në mungesë me burgime të gjata lideren opozitare në mërgim, Svyatlana Tsikhanouskaya, dhe katër liderë të tjerë opozitarë, për akuzat që gjerësisht konsiderohen se janë të motivuara politikisht.
Gjykata e Qytetit të Minskut më 6 mars ka dënuar Tsikhanouskayan me 15 vjet burgim, ndërkaq politikanin tjetër opozitar, Paval Latushka me 18 vjet.
Tre figurat e tjera opozitare, Maryya Maroz, Volha Kavalkova, dhe Syarhey Dylevski u dënuan me nga 12 vjet burgim.
Gjykatësi Pyatro Arlou, ka shpallur pesë politikanët opozitarë fajtorë për tentim të rrëzimit të qeverisë, krijim dhe udhëheqje të grupit ekstremist, nxitje të urrejtjes dhe dëmtim të sigurisë kombëtare.
Të pesë figurat opozitare janë larguar nga Bjellorusia në fillim të protestave masive vdekjeprurëse, që u mbajtën për të kundërshtuar rezultatin zyrtar të zgjedhjeve presidenciale të gushtit të vitit 2020. Këto zgjedhje, udhëheqësi autoritar Alyaksandr Lukashenka pretendon se i ka fituar. Opozita bjelloruse dhe qeveritë perëndimore thonë se zgjedhjet u manipuluan dhe fituesja e vërtetë e zgjedhjeve është Tsikhanouskaya.
Tsikhanouskaya ka thënë se gjykimi ndaj saj ishte “farsë” dhe “hakmarrje” nga Lukashenka, dhe shtoi se nuk i është dhënë qasje në dokumentet e gjykatës. “Kështu regjimi ‘shpërbleu’ punën time për ndryshime demokratike në Bjellorusi. Por, sot nuk mendoj për dënimin tim. Mendoj për mijëra të pafajshëm, të arrestuar dhe dënuar me dënime të vërteta me burg”, ka shkruar ajo në “Twitter”.
Shqiptimi i dënimeve është bërë me dije disa ditë pasi një gjykatë në Bjellorusi ka zgjatur dënimin me burgim për 18 muaj ndaj burrit të Tsikhanouskayas, Syarhey Tsikhanouski, për shkak të siç është thënë “shkeljes” së rregulloreve të brendshme në paraburgim.
Tsikhanouski është duke shërbyer 18 vjet burgim për akuza që lidhen me zgjedhjet e vitit 2020. Ai kishte njoftuar për pjesëmarrjen në zgjedhjet presidenciale duke sfiduar Lukashenkën, por u diskualifikua nga gara dhe u arrestua para mbajtjes së zgjedhjeve. Më pas, gruaja e tij nisi fushatën për t’u bërë presidente.
Mijëra persona janë arrestuar në protestat kundër rezultatit zgjedhor dhe ka pasur raporte të besueshme se të arrestuarit janë keqtrajtuar dhe torturuar nga forcat e sigurisë. Disa persona kanë vdekur gjatë shtypjes së protestave.
Lukashenka, 68 vjeç, varet shumë nga mbështetja ruse, teksa përballet me sanksione perëndimore. Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe disa shtete të tjera refuzojnë ta pranojnë fitoren e vetëshpallur të Lukashenkës në zgjedhjet e vitit 2020. /REL