Gjykata në Zvicër kërkon 28 muaj burg për presidentin e PSG-së
23 shtator 2020
| 12:41
Edhe pse dy fitoret radhazi në Ligue 1 qetësuan disi situatën, sërish PSG-ja nuk gjen paqe. Tashmë në shënjestër është bërë presidenti i kampionëve të Francës, Nasser Al-Khelaifi, i cili mund të përfundojë në burg.
Sipas agjencisë së lajmeve “Keystone ATS”, drejtësia zvicerane ka kërkuar 28 muaj burgim për Al-Khelaifi, pasi akuzohet për ryshfet.
Al-Khelaifi, gjithashtu president i “BeIN Media”, akuzohet për ryshfet ndaj Jerome Valcke, ish-nënkryetar i FIFA-s, për të marrë të drejtat televizive të Kupave të Botës 2026 dhe 2030.
Ndërkohë për Valcke është kërkuar një burgim prej 3 vjetësh. Gjyqi për këtë çështje nisi disa muaj më parë në Gjykatën Federale Penale në Bellinzona të Zvicrës, ndërsa vendimi pritet të dalë më 30 tetor.