‘Gjykata për krimet serbe është e pashmangshme dhe do të ndodhë’
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë të martën në Kaçanik se Gjykata Ndërkombëtare për krimet e shtetit serb në Kosovë është e domosdoshme, është e mundur, është e pashmangshme dhe do të ndodhë.
Duke folur në akademinë përkujtimore kushtuar 20-vjetorit të rënies heroike të Qamil Ilazit – komandant Bardhit në Kaçanik, kryeparlamentari Veseli tha se populli i Kosovës ka bërë luftë të drejtë dhe çlirimtare ndaj okupatorit serb, i cili vrau e masakroi mijëra qytetarë të Kosovës.
Veseli ka thënë se janë disa personalitete të cilat në jetën dhe veprimtarinë e tyre pasqyrojnë gjithë fatin historik të kombit të tyre. Një personalitet i tillë, ka thënë Veseli, ishte Qamil Ilazi, komandant Bardhi.
Ai ka thënë se 30 vjet aktivitet në shërbim të vendin, flasin më se miri për një personalitet që e dinte se cilës kohë i përkiste, e dinte se çfarë kërkonte koha dhe atdheu prej tij.
“Qamil Ilazi, me guxim e vendosmëri, iu përgjigj kohës dhe atdheut, si njeri i lapsit dhe i pushkës. Në historinë e popullit tonë lapsi dhe pushka gjithmonë kanë shkuar bashkë. Qamil Ilazi me veprimtarinë dhe luftën e tij është shëmbëlltyrë e kësaj vlere të popullit tonë. Është shëmbëlltyrë e luftës tonë të drejtë, luftës të pastër, luftës tonë për liri e dinjitet kombëtar. Kjo luftë dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke i sjellë lirinë një populli të robëruar me shekuj, i ka bërë një shërbim të madh njerëzimit: e ka bërë më të drejtën botën”, ka thënë Veseli.
Ai ka deklaruar se të gjithë ata që kishim nderin të jenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qëndrojnë krenarë dhe ballëhapur para çdo kujt.
/Epoka e re/