Gjykata pezullon urdhrin e Bidenit për ta bërë vaksinimin të detyrueshëm në biznese

07 nëntor 2021 | 12:26

Një gjykatë apeli në ShBA ka bllokuar përkohësisht planet e presidentit Joe Biden për një urdhër vaksinimi për bizneset.

Ligji do të kërkonte që punëtorët në kompanitë private me më shumë se 100 punonjës të vaksinohen plotësisht kundër Covid-19 ose të testohen çdo javë.

Por gjykata ka gjetur “çështje të rënda statutore dhe kushtetuese” me rregullin, që do të futet në janar.

Gjykata ka thënë se po pezullonte urdhrin dhe i dha administratës Biden kohë deri të hënën për t’u përgjigjur.

Pesë shtete të udhëhequra nga republikanët – Teksasi, Luiziana, Misisipi, Karolina e Jugut dhe Utah – si dhe kompani private dhe grupe fetare, kishin paraqitur ankesa ligjore kundër urdhrit.

Këto shtete kanë akuzuar presidentin për tejkalim të autoritetit të tij, raporton “BBC”.

Nëse zbatohet, vendimi i gjykatës së apelit të qarkut të pestë në ShBA do të ishte një goditje ndaj masave gjithëpërfshirëse të administratës Biden për të zgjatur vaksinimin.

Bideni ka thënë se urdhri, i cili do të mbulonte më shumë se dy të tretat e punëtorëve të vendit, do të vendoste një standard kombëtar të sigurisë në punë.

Presidenti ka thënë se punonjësit në kompanitë e mëdha do të duhet të vaksinohen plotësisht deri më 4 janar, duke e quajtur vaksinimin “rruga e vetme më e mirë për të dalë nga kjo pandemi”.

Shumë biznese në ShBA tashmë kërkojnë që punonjësit e tyre të vaksinohen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktorja  Yllka Gashi ka bërë të ditur se mbrëmë filmi…